Kosova

Von Cramon: Liberalizimi i vizave në duart dhe vullnetin e disa shteteve të BE-së


Viola von Cramon, gjatë konferencës në Prishtinë

Në Parlamentin Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë shumë herë pjesë e rendit të ditës, madje është votuar edhe pro.

Kosova, prej kohësh, i ka përmbushur kriteret e përcaktuara.

Ky është edhe mendimi i Raportueses për Kosovën, Viola von Cramon, i bërë i ditur rishtazi edhe në një konferencë për media në Prishtinë.

Ajo siguron se, po të varej nga Parlamenti Evropian, qytetarët e Kosovës tashmë do të lëviznin lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Mendoj që Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë, mendoj që Kosova i ka përmbushur kriteret, e ka bërë punën e saj dhe mendoj që është koha e BE-së dhe kështu BE-ja po e humb kredibilitetin”.

Von Cramon ka kritikuar edhe Francën për qëndrimin e saj skeptik për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe një mjedis politik më të përshtatshëm në Francë. Për këtë arsye e kam kritikuar shumë presidentin Emmanuel Macron”, ka thënë ajo gjatë konferencës.

Ndërsa çështja e dialogut Kosovë-Serbi ishte pika tjetër që u përfol gjatë konferencës të Von Cramon.

“Presim nga të dyja palët që të ngirisin pritjet e tyre shumë lart. Unë shpresoj që, në javët e muajt e ardhshëm, do të shohim një afrim të qëndrimeve. Kjo është diçka që mund të bëhet vetëm përmes bisedimeve”

Eurodeputetja Von Cramon, gjatë vizitës së saj treditore, ka takuar përfaqësues institucionalë për të bërë një përmbledhje të situatës aktuale politike në Kosovë.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore