Kosova

Von Cramon kërkon hetimin dhe ndjekjen e autorëve që sulmuan trupat e KFOR-it


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka shtuar edhe një kërkesë të veçantë, mbi tri të tjerat që i ka parashtruar Bashkimi Evropian për Kosovën gjatë ditës së djeshme.

Përmes një cicërimë të ndarë në llogarinë e saj të Twitter, Von Cramon ka kërkuar hetime të plota dhe ndjekje penale ndaj autorëve që fshihen pas sulmeve kundër trupave paqeruajtëse të KFOR-it.

“Një kërkesë shtesë, por thelbësore –  hetimi dhe ndjekja e plotë e autorëve të sulmeve kundër trupave të KFOR-it”, ka shkruar Von Cramon pos tjerash.

Në anën tjetër, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, ka treguar tri kërkesat që ia ka bërë të enjten Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Kishinau të Moldavisë.

Borrell zhvilloi një takim me presidenten Osmani, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në margjinat e samitit të dytë të Komunitet Politik, ku është diskutuar ekskluzivisht për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Shefi i diplomacisë evropiane në mënyrë të drejtpërdrejtë tregoi se Bashkimi Evropian ka tri kërkesa “të qarta” për autoritetet kosovare, të cilat nëse nuk përmbushen “do të kenë pasoja serioze në marrëdhëniet tona me Kosovën”.

“Zgjedhjet të reja në veri menjëherë, garantimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe nisja e punës për themelimin e Asocicionit të Komunave me Shumicë Serbe. Dështimi për të bërë këtë, do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet tona”, shkroi Borrell.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore