Kosova

Von Cramon dhe Rauten: Mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje në kundërshtim me marrëveshjen e 27 shkurtit


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe eurodeputeti holandez Thijs Rauten, kanë shprehur “keqardhje të thellë”, pas refuzimit të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale për katër komunat në Veri të Kosovës, duke e konsideruar këtë veprim si shkelje të Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars.

Von Cramon dhe Rauten përmes një deklarate të përbashkët deklaruan se “pjesëmarrja e të gjithë akterëve relevantë në jetën politike dhe institucionet në veri të Kosovës është me rëndësi kyçe për normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe po ashtu i bënë thirrje Listës Serbe që të ndryshojë vendimin e saj.

“Neni shtatë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i rënë dakord më 27 shkurt 2023, i obligon të dyja palët që të sigurojnë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë. Refuzimi për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, i domosdoshëm për shkak të tërheqjes së Listës Serbe nga institucionet, është mospërmbushje e këtij obligimi”, janë shprehur eurodeputetët.

Tutje, ata shtuan se zgjedhjet e planifikuara që të mbahen me 23 prill, “janë një mundësi thelbësore për njerëzit në veri të Kosovës që të sigurojnë vetëqeverisje përmes ushtrimit të të drejtave të tyre demokratike”.

“Mos pjesëmarrja në zgjedhje do të anulonte të drejtën e popullit të veriut të Kosovës për të zgjedhur përfaqësues që punojnë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për komunitetet e tyre. Ftojmë Listën Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Edhe pse afati për dorëzimin e listës ka skaduar, apelojmë tek autoritetet e Kosovës që të tregojnë fleksibilitet dhe t’i bëjnë thirrje Listës Serbe që ta dorëzojë listën zgjedhore pa vonesë”, kanë thënë Von Cramon dhe Rauten.

Gjithashtu, eurodeputetët i bënë thirrje “të gjithë aktorëve relevantë në Kosovë dhe Serbi që të tregojnë përkushtimin e tyre” ndaj Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe aneksit të zbatimit të 18 marsit në Ohër, dhe kjo të bëhet “si me fjalë ashtu edhe me vepra”.

Po ashtu, ata bënë thirrje që palët të përmbahen “nga çfarëdo hapash që mund të ndërmerren për të parandaluar përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe”.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve nga targat serbe në targa të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka bërë të ditur se nuk ka aplikime të reja, por vetëm u janë konfirmuar kandidaturat atyre që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhjetorit. Kjo do të thotë se janë gjithsej 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars. Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme lokale në komunat në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në llogarinë e tij në Twitter, më 23 mars, se refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale është “shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe e ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore