Lajme

Von Cramon, BE-së për terroristët: Kur do të sanksionohen këta njerëz?


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas publikimit të pamjeve ku shihet krimineli dhe terroristi, njëherit nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, në Veri, saktësisht në Banjskë, aty ku ndodhi sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ka pyetur Bashkimin Evropian se “kur do të fillojë më në fund sanksionimi i këtyre djemve këtu?”.

“Ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe pengimi i tyre (ka edhe disa kriminelë të tjerë) që të udhëtojnë në vendet e BE?”, vazhdoi pyetjen ajo në një postim në platformën X.

Pamje ku shihet krimineli dhe terroristi Milan Radojicic.

Eurodeputetja gjermane theksoi se ky veprim nga BE-ja “do të ishte të paktën një fillim (siç bëri SHBA disa kohë më parë)”.

Sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar të gjitha vendet perëndimore, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Nga ky sulm terrorist nuk është distancuar Serbia, madje ata kanë shpallur 27 shtatorin ditë zie në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të martën ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Sipas mediumit boshnjak Istraga.ba, Radojiçiç, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Se krimineli serb ishte në Veri, e tha edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të hënën ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Radojiçiç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore