Lajme

Volkswagen-i i jep fund pritjes për mikrobusin elektrik


Pesë vjet pas zbulimit të konceptit ID Buzz për të parën herë në panairin e automjeteve në Detroit, Volkswagen-i i ka dhënë fund pritjes.

Kompania e automjeteve ka treguar një version të gatshëm për prodhim të automjetit.

Herbert Diess, shefi ekzekutiv i Volkswagen-it, ka postuar në platformën Twitter se “legjenda rikthehet” më 9 mars, duke e shoqëruar njoftimin me një video të mikrobusit me ikonën e kompanisë.

Faqja “The Verge” e të rejave teknologjike tregon se vendimin për të nxjerrë përfundimisht mikrobusin, kompania e ka marrë pas regimeve pozitive që ka pasur mbi konceptin.

Ndërkaq, versioni është mishërim i qartë i automjetit ikonik që kompania shiti në Amerikën e Veriut midis viteve 1950 dhe 1980.

Versioni i prodhimit pritet të devijojë pak nga origjinali sepse të gjitha bateritë do të montohen nën dysheme.

Për Volkswagen-in, mikrobusi autonom do të shërbejë si një platformë për operacionet e veta komerciale në shkallë të plotë të transportit dhe dërgesës që planifikon të çojë në Gjermani në vitin 2025.

Detaje më të shumta lidhur me këtë automjet elektrik të ardhshëm ende nuk dihen, duke përfshirë edhe faktin nëse kompania planifikon të qëndrojë me emrin paksa të çuditshëm ID Buzz.

Megjithatë, versioni do t’i bashkohet gamës së Volkswagen-it që përfshin llojin ID 3, ID 4 dhe makinën e ardhshme sportive, ID 5.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore