Lajme

VMRO-DPMNE nis mbledhjen e nënshkrimeve për referendum


Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE ka bërë të ditur që të mërkurën e 7 shtatorit do të fillojë mbledhjen e nënshkrimeve për referndum, si rezultat i refuzimit të marrëveshjes mes RMV-së dhe Bullgarisë.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se nuk janë kundër që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por theksoi se marrëveshja është asimiluese dhe duhet të braktiset, transmeton mediumi maqedonas ‘Vecer’.

“Nuk kemi asgjë kundër që bullgarët të jenë pjesë e Kushtetutës, por me atë që Bullgaria ka treguar se a është fqinj i mirë”, theksoi ai.

Ai shtoi se “ata pretendojnë me këmbëngulje se gjuha maqedonase dhe populli maqedonas nuk ekzistojnë”.

Mickoski ka kërkuar mbështetje edhe nga shqiptarët duke vlerësuar se identiteti maqedonas është sulmuar me Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë.

VMRO-DPMNE ka shpallur referndumin me pyetjen “A jeni për heqjen e vlefshmërisë së ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë”.

Që të mbahet referendumi duhet të mblidhen 150 mijë nënshkrime dhe të kalojë procedura parlamentare.

Nëse kalon procedurat parlamentare, referendumi pritet të mbahet në pranverë dhe që ai të jetë i suksesshëm duhen 910 mijë vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore