Kosova

“VLEN”: Jemi fitues absolut në kampin shqiptar


Izet Mexhiti

Koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, kanë thënë se janë fitues të zgjedhjeve parlamentare në kampin shqiptar, ku kundërkandidat kishin “Frontin Evropian”.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut në kampin shqiptar”, ka thënë Izet Mexhiti, njëri nga liderët e “VLEN”-it, në një konferencë për media nga selia qendror e këtij koalicioni, pas mbylljes së qendrave të vendvotimeve.

Ndonëse e shpallën fitoren, ata akuzuan se procesi zgjedhor nuk ka qenë demokratik, dhe për këtë fajtor e bënë Bashkimin Demokratik për Integrim, bartësen e koalicionit “Fronti Evropian”.

“Sot procesi zgjedhor ishte gjithçka, por jo demokratik, për fat të keq institucionet e shtetit që kanë për detyrë të garantojnë procesin sot edhe njëherë u vunë në shërbim të BDI-së”, theksoi Mexhiti, duke shtuar se do të ketë përgjegjësi për “dhunimin e të drejtës së votës”.

Por, edhe “Fronti Evropian” ka shpallur fitoren në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut në taborin shqiptar.

Këtë fitore në një konferencë për media e ka shpallur Arbër Ademi, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit.

“Fronti Evropian sonte do të dëshmojë fitoren historike në këtë referendum popullor, me çka do të vuloset e ardhmja evropiane e vendit. Kthim mbrapa nuk ka, dhe nuk do të ketë asnjëherë, sepse vullneti dhe verdikti i qytetarëve është mbi të gjithë”, ka thënë Ademi.

“Më 24 prill dhe sot, populli e tha fjalën e tij, dhe Fronti Evropian do t’i qëndrojë besnik përgjithmonë vullnetit të votuesit”, potencoi ai, duke shtuar se “sonte fitorja është e jona, e të gjithë juve që i thatë Jo Rusisë, dhe Po Evropës”.

https://albanianpost.com/fronti-evropian-shpalle-fitoren/

Ndryshe, këtë të mërkure Maqedonia e Veriut ka mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të atyre presidenciale.

Në zgjedhjet parlamentare në taborin shqiptar gara është zhvilluar në mes të “Frontit Europian”, dhe koalicionit “VLEN”, derisa në kampin maqedonas sipas sondazheve pritet një fitore e thellë e partisë nacionaliste VMRO-DPMNE, kundrejt LSDM-së.

Ndërsa, në garën presidenciale kanë qenë dy kandidatë, fituesja e raundit të parë, kandidatja e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Gordana Silanovska-Davkova, dhe kryetari aktual i shtetit, Stevo Pendarovski, i cili është mbështetur nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore