Lajme

Vjosa Osmani viziton Maqedoninë e Veriut


Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Me ftesë të presidentit Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarisht do të vizitoj qëndroj në një vizitë zyrtare në Maqedoninë e veriut.

Këtë të mërkurë, Osmani do të mirëpritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni zyrtare në Kabinetin e Presidentit, pas së cilës do të vijojë takimi i presidentëve, dhe takimi plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Në suazat e vizitës, të dy presidentët, në kishën “Shën. Spas” në Shkup, do të vendosin kurora pranë varrit të Goce Dellçevit.

Ceremonia zyrtare e pritjes dhe konferenca e përbashkët për shtyp janë të hapura për të gjitha mediat e akredituara, kurse do të transmetohen drejtpërdrejt edhe në platformat digjitale të Presidentit Pendarovski.

Bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite, Osmani pas takimit me Pendarovskin dhe konferencës së përbashkët për media, do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferin, e pastaj pritet t’i drejtohet me një fjalim deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Ajo do të takohet edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, ndërsa takime të ndara do të ketë edhe me grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend si dhe një drekë pune të përbashkët me gra lidere të fushave të ndryshme.

“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut, presidentja Osmani do të marrë pjesë në përurimin e një rruge me emrin e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova në komunën e Çairit”, thuhet në njoftimin e presidencës maqedone.

“Ndërkaq në selinë e Ambasadës së Kosovës, presidentja Osmani do ta dekorojë post-mortem me Urdhrin “Hasan Prishtina”, liderin ikonik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Arbën Xhaferi, i cili shquhet edhe për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve kudo. Presidentja Osmani do ta dhurojë po ashtu një kontingjent librash për bibliotekën në gjuhën shqipe në Manastir”, thuhet më tej në njoftimin e presidencës.

Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut, Presidentja Osmani do të vendosë lule te shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, te busti i Hasan Prishtinës dhe pllakës së Nënë Terezës, si dhe do ta vizitojë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSHM).

Presidentja Osmani gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut do ta vizitojë edhe Tetovën ku do ta takojë kryetarin e komunës, Bilall Kasamin, disa kryetarë tjerë komunash të drejtuara nga shqiptarët dhe intelektualë të kësaj komune.

Vizitën në këtë komunë, Presidentja Osmani do ta përmbyllë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku para studentëve dhe stafit akademik do të flasë për sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë.

Më 15 dhjetor, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, kishte vizituar Kosovën, ku ishte pritur me ceremoni të lartë shtetërore nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndryshe, Pendarovski vazhdimisht kishte bërë kërkesë që Kosovës t’i bëhet liberalizimi i vizave.

Ai në takimin e 11-të të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Brdo-Brioni ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen vizat, derisa ka theksuar se Bosnja dhe Hercegovina e meriton statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Zgjerimi i BE-së kontribuon në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, në përmirësimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, ndaj është e nevojshme të përshpejtohen proceset integruese të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Pendarovski në takimin e 11-të të liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Brdo-Brioni.

Pendarovski theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për qasje sa më të shpejtë në mekanizmat e BE-së si mbështetje për përballimin e krizës së ardhshme energjetike dhe vlerësoi se kriza ekonomike dhe sociale mund të shkaktojë krizë politike shumëvjeçare dhe të gjeneroj jostabilitet shtesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore