Shqipëria

Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Shqipëri, pritet me ceremoni nga Presidenti Begaj


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka mirëpritur me një ceremoni shtetërore homologen e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Pas ekzekutimit të himneve respektive, krerët e shteteve u njohën me delegacionet respektive për t’i dhënë udhë takimit zyrtar mes presidentëve.

Agjenda dyditore e Osmanit përfshin takime me krerët e shtetit, dorëzim i nënshtetësisë së Kosovës për shkrimtarin me famë botërore, Ismail Kadare dhe vizita në qytetin e Durrësit dhe Beratit.

Vizita e saj vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë përkeqësuar për shkak të mosmarrëveshjeve për mënyrën e duhur për zgjidhjen e ngërçit në veriun e Kosovës.

Pas takimit të dy presidentët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë kësaj vizite, Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Rama, dy muaj pas takimit në Prishtinë ku temë kryesore e diskutimit mes tyre ishte situata e tensionuar në veri.

“Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, kishte deklaruar Osmani në Facebook.

Por, muajin e kaluar në Tiranë nuk ishte e pranishme Osmani dhe asnjë nga krerët e shtetit kosovar në takimin joformal me liderët ballkanikë, ku i pranishëm ka qenë edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti, e kishte refuzuar ftesën e kryeqeveritarit shqiptar për të shkuar në Tiranë, siç nuk kishte pranuar të takohet me Ramën edhe gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë gjatë muajit korrik.

Kurti me ironi kishte deklaruar se “demokracia, paqja dhe siguria” në Ballkanin Perëndimor nuk rrezikohen nëse nuk zhvillohet një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe kryeministrit të Shqipërisë, ndërsa pati kushtëzuar takimin me kreun e qeverisë shqiptare vetëm pas mbledhjes së dy qeverive.

Rama kohët e fundit është angazhuar intensivisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian (BE), i cili ka bërë përpjekje dhe propozime të vazhdueshme për të gjetur një rrugë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe kthimit në dialog.

Ndërkaq pas përfundimit të vizitës në Shqipëri, Osmani të enjten e 7 shtatorit do të takohet në Bruksel edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në dritën e përpjekjeve të diplomatëve dhe liderëve perëndimorë për të zgjidhur ngërçin në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore