Vjen në Kosovë kontingjenti i parë përforcues i trupave britanike në kuadër të KFOR-it

Trupat britanike ne momentin e arritjes ne Kosove.

Dini Fetahu
06.10.2023 19:07
Loading Icons...

Ka mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë në Kosovë – nga 400 gjithsejtë sa do vijnë – për të përforcuar kështu misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kjo pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Lajmi është bërë i ditur nga NATO, por edhe nga vetë qeveria britanike.

Në njoftimin e bërë nga NATO, thuhet se këto dislokime janë një hap i rëndësishëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.

Ky dislokim bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s për Evropë, e cili u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut.

Ndërsa, në njoftimin e ekzekutivit britanik, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet se forca paqeruajtëse do të përfshijë jo vetëm trupa, “por edhe qindra automjete që mbërrijnë me mallra detare”.

“Nën komandën e NATO-s, forcat do të jenë të disponueshme për të kryer operacione në përputhje me mandatin e KFOR-it për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet aty.

Ministria britanike e Mbrojtjes nënvizoi se janë duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për t’i nxitur Kosovën dhe Serbinë në de-përshkallëzim të tensioneve dhe kthim në dialog.

Tutje, ata njoftuan se gjatë bisedave që Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, i ka pasur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Granadë të Spanjës, i ka “inkurajuar” ata për de-përshkallëzim të situatës.

Rishi Sunak dhe Vjosa Osmani

“Ministri për Evropën, Leo Docherty, sot do të takohet edhe me ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Kosovës në kryeqytetin shqiptar [Tiranë] gjatë një takimi të Procesit të Berlinit”, thuhet aty.

Ushtarët britanikë që po dislokohen në Kosovë janë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, vendet perëndimore kanë shtuar vëmendjen në këtë zonë të Evropës, duke tentuar kështu të parandalojnë edhe një konflikt tjetër në kontinentin e vjetër.

Pos Britanisë, edhe Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it, në prill të vitit të ardhshëm.

Po ashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë po përgatitet të dërgojë ushtarakë shtesë në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO-s, KFOR-it.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga Ministria e Mbrojtjes bëhet e ditur se Rumania, në një të ardhme të afërt, do të dërgojë një njësi të vogël në nivel kompanie në kuadër të KFOR-it.

“Rumania, si një aleat i NATO-s dhe vend anëtar i BE-së, ka marrë përsipër angazhimin për të kontribuar me forca dhe pajisje ushtarake në përpjekjen për të ruajtur një mjedis të qëndrueshëm të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë për media.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Të fundit

Aktuale