Lajme

Vizitë digjitale në Olimpian e Lashtë nga Microsoft


Një marrëveshje e re është arritur midis qeverisë greke dhe kompanisё kompjuterike Microsoft.

Sipas saj, Olimpia e Lashtë do të mund të shihet e plotë në mënyrë digjitale.

Bashkëpunimi do të përdorë inteligjencën artificiale për të hartuar planin origjinal të Lojërave Olimpike dhe do t’i lejojë shikuesit të eksplorojnë zonën njёsoj si pёrpara 2 mijё viteve.

Njerëzit do të mund të vizitojnë destinacionin e lashtë, pёrmes një aplikacioni të realitetit të shtuar në aparatet e tyre celularë, ose përmes syzeve “HoloLens”, në Muzeun Olimpik në Athinë.

Syzet inteligjente 3D të Microsoft HoloLens përdorin sensorë të shumtë, optikë të avancuar dhe hologramë, për të eksploruar botën reale ose për të simuluar një botë virtuale.

Në 27 monumentet, që janë bërë pjesë e këtij projekti digjital, përfshihen Stadiumi Olimpik origjinal, tempujt e Zeusit dhe Herës dhe punëtoria e skulptorit të njohur Phidias.

Në pamjet digjitale shfaqen ndërtesat, sa më afër formave të tyre origjinale, ndryshimet që ato kanë pësuar me kalimin e kohës dhe përshkrime të artefakteve nga çdo periudhë.

Digjitalizimi i faqes

Nëpërmjet iniciativës së tij për Trashëgiminë Kulturore, Microsoft-i bashkëpunoi me kompaninë teknologjike Iconem, e cila është e specializuar në digjitalizimin e vendeve historike në 3D.

Duke përdorur kamerat në terren dhe dronët për të marrë qindra mijëra imazhe të faqes, Microsoft AI krijoi më pas modelet, duke përpunuar fotografitë.

“Për herë të parë, vizitorët nga e gjithë bota mund të vizitojnë virtualisht vendlindjen e demokracisë, vendin e lashtë të Olimpias dhe të përjetojnë zanafillën e historisë”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Projekti për të ruajtur në mënyrë digjitale Olimpianë e Lashtë është një arritje mahnitëse në trashëgiminë kulturore, e cila do t’i pajisë brezat e ardhshëm me mënyra të reja për të eksploruar të kaluarën tonë”.

Sipas asaj, kohёt e fundit, Microsoft kёrkon tё rivalizojё Facebook nё planet e veta për të ashtuquajturin metaverse.

Vetёm pak kohё mё parё, kompania publikoi “Microsoft Teams metaverse” për takime dhe po transformon nё 3D “Minecraft” dhe lojërat e tjera që zotëron.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore