Vizitat e shpeshta të kryediplomatit grek dhe deklarata e presidentes Sakellaropoulou – A do lëviz Greqia drejt njohjes së Kosovës?

SHFLETO

Nikos Dendias në vizitën e tij të fundit në Kosovë u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një drek pune

 

Dreni Himbeqa
30.03.2023 8:35
Loading Icons...

Ishte muaji korrik i vitit të kaluar kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një vizite zyrtare në Greqi kishte kumtuar lajmin se shteti helen ka bërë një “avancim në diskurs” për sa i përket qasjes në raport me statusin e Kosovës.

Ai madje e cilësonte si “kapërcim tektonik” hapat e ndërmarra nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili, sipas tij, kishte hapur shtegun për ndryshim të qëndrimit.

Nga deklarimet shpresëdhënëse të Kurtit kanë kaluar plot 8 muaj, ndërsa Greqia nuk ka ndryshuar qëndrim, përkundrazi presidentja e këtij shteti, Katerina Sakellaropoulou, ka betonuar qasjen e Greqisë duke thënë se qëndrimi i Athinës zyrtare për Kosovën “mbetet i pandryshuar”, përkundër arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Por, sa janë gjasat që Greqia ta njohë Kosovën në një të ardhme të afërt?

Greqia në parim, sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit, Nikolaos Tzifakis, nuk është kundër shtetësisë së Kosovës, megjithatë preferenca e saj karshi statusit të Kosovës ndikohet nga dinamikat historike.

“Pozicioni grek përcaktohet, pjesërisht, nga konsideratat kombëtare dhe, pjesërisht, nga kuptimi i vetë shtetit për atë që mund të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, ka thënë Tzifakis fillimisht për Albanian Post.

Athina zyrtare, argumenton më tej drejtori i Qendrës “Jean Monnet” për Politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, përveç se ruan një interes të gjallë për të gjithë Ballkanin Perëndimor, është e etur për të eksploruar të gjitha fushat përmes së cilave mund të bashkëpunojë me Kosovën, pa e njohur atë zyrtarisht.

“Me kalimin e kohës, Athina ka zhvilluar me të vërtetë marrëdhënie më të ngushta me Prishtinën sesa shumë vende që e kanë njohur zyrtarisht shtetësinë e Kosovës. Është e rëndësishme të përmendet se Greqia ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizatat ekonomike ndërkombëtare dhe ka mbështetur liberalizimin e vizave ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

Nikolaos Tzifakis

Vizitat e shumta të ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, në Kosovë, veçanërisht këtë vit dhe atë të kaluarin gjerësisht u lexua si parapërgatitje për njohje formale nga shteti grek. Madje thuhej, se njohja do të ishte vetëm çështje kohe, veçanërisht në dritën e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve.

Megjithatë, për profesorin helen ndonëse një përparim i vërtetë drejt normalizimit të raporteve do të ndikonte patjetër në qëndrimin grek, Marrëveshja, në Greqi, nuk është parë si një Ujdi që sjellë një erë ndryshimi [Wind of Change] në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Një përparim i vërtetë drejt normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë do të ndikojë patjetër në qëndrimin grek ndaj statusit. Megjithatë, ne nuk shohim shumë një marrëveshje midis dy palëve dhe marrëveshja që u arrit në Ohër u diskreditua në të njëjtën ditë që u arrit nga mungesa e miratimit zyrtar të të dy palëve. Duhet pranuar që nuk kemi erë ndryshimi në marrëdhëniet Serbi-Kosovë”, ka shtuar ai.

Greqia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian e cila refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Por, e njëjta ka dhënë një mbështetje të paekuivok ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë votën pro ndaj liberalizimit të vizave për kosovarët.