Shqipëria

Vizita e parë dhe vizita e fundit e Nishanit si President ishin në një vend – në Kosovë


Bujar Nishani dhe Hashim Thaçi, 11 maj 2017, Prishtinë

Ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ndërruar jetë, pasi prej muajsh ishte i shtruar rëndë në një spital në Gjermani.

Vizita e tij e fundit si president i vendit, ishte pikërisht në Kosovë, ku edhe e kishte nisur vizitën e tij të parë si president në vitin 2012.

Më 11 maj të vitit 2017, atëbotë Nishani ishte pritur me nderimet më të larta shtetërore nga ish-presidenti i Kosovë, Hashim Thaçi.

Nishani përveç Thaçit, në takim ishte pritur edhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Gjatë takimit, Mustafa kishte shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani kishte dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.

Bujar Nishani dhe Isa Mustafa, 11 maj 2017

Nishani, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, si president në largim, përveç se ishte takuar me krerët institucional të vendit, ishe shpallur edhe qytetarë nderi në tri komunat e Kosovës – Prizreni, Gjilani dhe Drenasi.

Nishani e kishte pritur jo pa emocion nderimin që iu bë nga autoritet dhe populli i Kosovës.

“Nuk ka emocion dhe vlerë më të madhe njerëzore kur të nderojnë qytetarët dhe populli. Dhe prandaj sot ndihem i nderuar që mes jush dhe qytetarëve të Prizrenit ta marr dhe ta vlerësoj e të përulem para këtij nderimi që po më bëni. Isha shumë i nderuar që ta kryej këtë vizitë shtetërore të fundit pikërisht këtu, aty edhe ku e nisa në fillim të mandatit tim presidencial, në Kosovë”, ishte shprehur i emocionuar, Nishani, ndërsa mbante një fjalë rasti në Lidhjen e Prizrenit.

Bujar Nishani dhe Ramadan Muja, 14 maj 2017, Prizren

Bujar Nishani, Presidenti i pestë i Republikës së Shqipërisë pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ka ndërruar jetë ditën e sotme pasi vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi.

Ish-presidenti ka lindur në Durrës më 29 shtator 1966.

Karriera e tij profesionale filloi në vitin 1988 si pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej.

Pas kësaj, në 1993 shërbeu si Drejtor i Punëve të Jashtme në Ministrinë e Mbrojtjes, për të vazhduar në Departamentin e Marrëdhënieve me NATO-n në Ministrinë e Punëve të Jashtme në vitin 1994.

Viti 1996 e gjen Nishanin në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Një vit më pas u emërua dhe shërbeu si Kryetar i Forumit Ushtarak Euro-Atlantik për burra dhe gra.

Karriera politike e Nishanit filloi në vitin 1991 si anëtar i Partisë Demokratike.

Në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike Tiranë, ndërsa në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Dy vite më pas Nishani zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie politike.

Ndërsa, në korrik po të këtij vite ishte kandidat për Partinë Demokratike, ku fiton mandatin e deputetit në zonën zgjedhore 34 në Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009, ai u zgjodh sërish deputet.

Bujar Nishani

Nga marsi 2007 deri në shtator 2009, Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm.

Gjithashtu ai ka qenë dhe ministër i Drejtësisë, nga shtatori 2009 deri në prill 2011 dhe më pas, në prill të 2011 Nishani u emërua sërish në postin e Ministrit të Brendshëm, ku qëndroi deri në qershor të vitit 2012, kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e Kreu i shtetit.

Më 24 korrik 2012 Bujar Nishani u betua si President i Republikës para Kuvendit të Shqipërisë për një mandat.

Nga 2017 e në vijim ka vijuar me angazhimin e tij politik pranë selisë blu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore