Lajme

Vizita e Osmanit në Shqipëri – në kërkim të një aleance për t’i arsyetuar kompromiset e ardhshme


Bajram Begaj, Vjosa Osmani dhe Edi Rama

Kryefjala e vizitës dyditore të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Shqipëri, siç tha ajo në një konferencë për media me homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj, ishte përpjekja për unifikim të politikës së jashtme të të dy vendeve në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Ndonëse deklarata e Osmanit ka kuptim si frazë, për njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, unifikimi i politikës së jashtme të Kosovës me atë të Shqipërisë aktualisht është thjesht i pamundur.

“Qëndrimet aktualisht diametralisht të kundërta në procese rajonale”, “fjalimet demagogjike kundër politikave të brendshme”, “përzierja në procese zgjedhore”, “refuzimi i takimeve”, janë vetëm disa nga arsyet substanciale që dëshmojnë se Kosova dhe Shqipëria, edhe po deshën, janë larg, unisonimit të politikave të tyre në arenën ndërkombëtare.

“Obligimet dhe kriteret që këto dy shtete duhet t’i plotësojnë dallojnë ndërmjet vete. Sepse kriteret e Shqipërisë kanë të bëjnë me respektimin e sundimit të ligjit, forcimin e demokracisë së brendshme, zhvillimin ekonomik si dhe raporteve korrekte me fqinjët. Kurse krahas këtyre obligimeve, Kosova e ka edhe një problem shtesë që siç dihet nga të gjithë ne është dialogu me Serbinë, e i cili duhet të marr një epilog”, thotë ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, per Albanian Post.

“Kjo ka bërë që për shkak të problemeve të ndryshme Kosova dhe Shqipëria të kenë dallime në këtë drejtim. Dhe ato nuk mund të kenë një politikë të jashtme unike sipas botëkuptimeve romantike të unitetit kombëtar”, po ashtu shton ai.

Por, pengesa e cila e pamundëson unifikimin e politikës së jashtme, përpos detyrave të ndryshme të cilat duhet t’i ndjekin të dy shtetet në arenën ndërkombëtare, sipas Kasollit, janë antagonizmat dhe dallimet që janë agravuar kohëve të fundit pikërisht për shkak të luftës politike ndërmjet autoriteteve nga Kosova dhe Shqipëria.

“Kjo është vërejtur që nga dallimet për Ballkanin e Hapur ku Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. Është pikërisht Vjosa Osmani që në parlamentin e Shqipërisë në një vizitë të mëhershme panevojshmërisht pat mbajtur një fjalim demagogjike kundër politikave të brendshme administrative të shtetit Shqiptar, sikurse taksa për rrugën e kombit etj”, shton ai.

“Po ashtu i kemi të freskëta fotografitë për qëndrimet e ftohta ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës në shumë forume rajonale. Madje edhe foto të ‘retushuara’. Ndërkohë, Albin Kurti nuk ka nguruar të bëhet pjesë e zgjedhjeve të brendshme në Shqipëri për ta sfiduar elektoralisht Edi Ramën”.

Të gjitha këto anomali, beson Kasolli, kanë krijuar asi realiteti ku bashkëpunimi institucional ndërmjet dy vendeve në politikën e jashtme të jetë në pikën më të ulët të mundshme.

“Kulmi i kësaj sjellje u arrit kur kryeministri i Kosovës refuzoi ta takoje atë shtetit shqiptar në Prishtinë, për të diskutuar për projektet që lidhen me Procesin e Berlinit, me arsyetimin se ky i fundit ishte përgjegjës për dështimin e takimit ndërmjet dy qeverive të planifikuar për në Gjakovë.  E tërë kjo situatë kishte ardhur si pasojë e interptimit se Tirana zyrtare nuk ishte sjellur konform interesave të Kosovës”.

Në të njëjtën linjë të argumentimit për pamundësinë e bashkërendimit të politikës së jashtme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sikur Kasolli, është edhe politologu nga Shqipëria, Altin Gjeta.

Rama nga njëra anë, Kurti Osmani nga ana tjetër, sipas Gjetës, kanë treguar tashmë me akte konkrete – qëndrimi ndaj krizës në Veri, ndaj akteve të Serbisë, dialogut dhe faktorit ndërkombëtarë në tërësi – se kanë koncepte të ndryshme për sfidat me të cilat përballet Kosova në dialogun me Serbinë dhe në përpjekjen e saj për konfirmimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Ndërsa Kurit dhe Osmani nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise të vështira në dialog sepse humbasin pikë tek qytetarët e Kosovës, Rama i udhëhequr nga një sens protagonizmi dhe konformimi ndaj kërkesave të faktorit ndërkombëtarë për Kosovën, do të vijojë t’i japë ‘leksione’ lidershipit të Kosovës për ndjekjen e këshillave të miqve perëndimorë”, shpjegon Gjeta për AP duke shtuar se është evident fakti se Rama dhe Kurti janë në një rivalitet të heshtur për një rol lidershipi në hapësirën shqiptare.

Afrim Kasolli dhe Altin Gjeta

A po artikulohet kërkesa e Osmanit në kohën kur Kosova do të detyrohet të marrë vendime të vështira në procesin e dialogut?

Për Kasollin përgjigja është – PO.

Pushteti aktual në Kosovë, beson Kasolli, është në kërkim të një shtegdalje për kurthet që i ka ngritur vetes dhe për të cilat është përgjegjës në kuadër të dialogut me Serbinë.

Për Kasollin është fare e qartë se presionet ndërkombëtare në procesin e dialogut në këtë fazë do t’ia vështirësojnë mbijetesën politike të Osmanit dhe Kurtit, prandaj të njëjtit për t’u arsyetuar para opinionit mbase do t’u duhet ndihma e atyre që deri dje i kishin shpërfillur, përfshirë këtu edhe Ramën.

“Kjo situatë mbase mund të jetë pasojë e disa gabimeve që pushteti aktual në Kosovë i ka ndjekur për temën e dialogut në përgjithësi dhe atë për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe në veçanti. E gjithë trashëgimia dhe rritja e tij elektorale është e ndërtuar duke e kritikuar dhe satanizuar këto procese. Kjo retorikë ishte përdorur me qëllim të përfitimit politik para audiencës së brendshme. Mirëpo, më të marr drejtimin e shtetit të Kosovës, tandemi Albin-Vjosa, u pajtuan që të bëhen pjesë e këtij procesi, madje duke u dakorduar edhe për Marrëveshje sikur ajo e Ohrit, pjesë  e së cilës është edhe zbatimi i Asociacionit”, shpjegon ai.

Në anën tjetër Gjeta, vizitën e Osmanit në Shqipëri, e sheh më shumë si një përpjekje për të vënë kryeministrin Rama para faktit të kryer për ta paraqitur atë si pjesë të problemit në binomin Prishtinë-Tiranin sesa si pjesë e zgjedhjes ani pse Shqipëria, sipas tij, mund të luaj një rol për të ngritur zërin, lobuar apo mbështetur Kosovën në proceset e vështira që ka përpara në forcimin e shtetësisë, marrë parasysh se është anëtarë i NATO-s dhe ka marrëdhënie të konsoliduara ndërkombëtare.

“Pra, Osmani po mundohet t’i thotë publikut shqiptar se Kosova është e gatshme të harmonizojë politikën e jashtme me Shqipërinë, por kjo e fundit nuk ka vullnet as dëshirë ta bëjë këtë. Pra ajo (Kosova) do të jetë e detyruar të ndjekë politikën e saj edhe pa mbështetjen e Shqipërisë. Me pak fjalë, duket se ka një luftë të ftohtë mes Ramës dhe lidershipit të Kosovës (Kurti-Osmani)”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore