Kosova

Vitia thotë se s’ka më listë të pritjes për terapinë me rrezatim në Klinikën e Onkologjisë


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë vizitës në Klinikën e Onkologjisë ka deklaruar se është eliminuar lista e pritjes, e kjo sipas tij është bërë për shkak të sigurimit të aparatit të ri.

MSH-ja përmes një komunikate për media ka deklaruar se janë afër 1 milion euro për investime të reja në këtë klinikë, që parashihet zgjerimi i shtretërve, shërbimeve, por edhe rinovime te hapësirave.

“Është kënaqësi të dëgjoj se më nuk ka listë pritje për Radioterapi, në Klinikën e Onkologjisë, falë investimeve që kemi bërë dhe punës shembullore të stafit të Klinikës së Onkologjisë që po punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm”, tha Vitia.

Ndërsa, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, është shprehur se me renovim dhe me zgjerimin e hapësirave puna do t’iu lehtësohet edhe stafit shëndetësor.

“Më nuk kemi pritje për Radioterapi, përjashtuar rastet kur për arsye mjekësore pacientëve u caktohet data se kur duhet të fillojnë me rrezatime, raste te tjera nuk presin”.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore