Kosova

Vitia thotë se është ndryshuar Bordi për sigurime shëndetësore


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka thënë se është ndryshuar bordi për sigurime shëndetësore.

Vitia, ka sqaruar se kjo është bërë pas shkeljeve që ishin bërë në Udhëzimin Administrativ.

“Bordi është ndryshuar komplet. Në udhëzimin e kaluar administrativ si problematik ka qenë komisioni konsiliar dhe ai mjekësor”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se në vitin 2023 janë trajtuar mbi 200 pacientë jashtë vendit për shkak të mungesës së aparaturës PET scan – test që përdoret për të diagnostikuar një sërë sëmundjesh.

“Në vitin e kaluar janë 298-299 raste të pacientëve tanë të cilët për shkak të mungesës së PET scan janë detyruar që të kërkojnë proces të diagnostikimit jashtë institucioneve shëndetësore publike, me të cilat fondi i është përgjigjur”.

“Mirëpo, tashmë me instalimin e PET scan edhe kjo diagnozë do të eliminohet nga kjo shtojcë, do të thotë do të bëhet përditësimi i kësaj liste”, ka thënë Vitia gjatë raportimit.

Ministri, theksoi se një situatë e ngjashme ka qenë edhe në klinikën e Oftalmologjisë.

Sipas tij, tashmë numri është zvogëluar.

“Për shkak të mungesës së aparaturave më herët në Klinikën e Oftalmologjisë, kanë qenë mbi 500 pacientë që janë trajtuar dhe janë referuar për të shkuar jashtë vendit, tashmë ky numër ka rënë sepse ato shërbime po jepen brenda klinikës”.

Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion publik i sigurimit shëndetësore që duhet të siguroj grumbullimin efikas dhe transparent të mjeteve financiare për sigurimin shëndetësor të obligueshëm.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Sipas legjislacionit në fuqi, gjithsecili qytetar i Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30 mijë euro për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.

Edhe pse janë mijëra pacientë nga Kosova që kërkojnë trajtim jashtë vendit, institucionet e Kosovës kanë vetëm një marrëveshje për këtë qëllim – atë me Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga viti 2010, çdo vit, 100 pacientë nga Kosova mund të trajtohen falas në institucionet shëndetësore publike të Turqisë.

Në Kosovë s’ka ekspertizë, jashtë Kosove s’ke ndihmë – vështirësitë e pacientëve që u duhet të shërohen jashtë vendit pa ndihmën e shtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore