Lajme

Vitia takohet me nënkryetarin e Graçanicës: Shërbimet shëndetësore do të përmirësohen për të gjithë, pa dallim


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe nënkryetari i komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia të premten është takuar me nënkryetarin e komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti me të cilin ka diskutuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Temë kryesore e takimit ishte përmirësimi i shërbimeve shëndetësore në Komunën e Graçanicës, duke pasur parasysh edhe specifikat e kësaj komune, të cilat i prezantoi para ministrit Vitia nënkryetari Ajeti”.

Takimi është bërë i ditur përmes një komunikate nga mediat, ku thuhet se Vitia i ka premtuar Ajetit trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Ministri i Shëndetësisë. Dr. Arben Vitia e siguroi nënkryetarin Ajeti së është në dispozicion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Vitia shtoi se, “jam në dispozicion tuaj dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore 24 orë në ditë”.

Kurse, nënkryetari Ajeti e falënderoi ministrin Vitia për pritjen dhe gatishmërinë e tij për përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve në shërbimet shëndetësore për qytetarët e Graçanicës.

Problemet e vjetra e kanë shoqëruar shëndetësinë kosovare në vazhdimësi, për zgjidhjen e tyre Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po planifikon 41 milionë e 67 mijë euro për ngritjen e shërbimeve shëndetësore.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë.

Për të gjitha këto probleme njohësit e fushës së shëndetësisë gjithmonë kanë deklaruar se ka zgjidhje, por që duhet angazhim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore