Lajme

Vitia: Siguruam shërbimin për rikonstruktimin e gjirit pa pagesë – në sektorin privat arrin shumën e 5 mijë eurove


Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në takim me stafin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për nder të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ka thënë se me buxhetin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitare të Kosovës (ShSKUK), kanë siguruar implante të gjirit dhe ekspander.

Vitia, ka potencuar se janë siguruar “mbi 100 implante të gjirit dhe mbi 50 ekspander”.

Ai tutje ka thënë se kanë siguruar edhe ofrimin e shërbimit që kushton deri në 5 mijë euro në spitale private.

“Kemi siguruar në sistemin tonë publik, në QKUK: Rikonstruktimin e gjirit për pacientet që ia janë nënshtruar operacionit të heqjes së gjirit, realizimin e kësaj procedure pa pagesë. (nga 3-5 mijë euro që kushton në sektorin privat), 25 gra e kryen me sukses rikonstruktimin deri më tani”.

Ministri ka potencuar se do të vazhdojnë me investime të tilla.

“Çdo investim shpëton jetë dhe mbron dinjitetin e pacienteve tona. Do vijojmë me investime që lehtësojnë diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, kishte bërë të ditur se në pesë vjetët e fundit ka pasur shtim të rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë.

Ai gjatë deklarimeve për mediat në Prishtinë, ka pohuar se bazuar në trendin e rasteve, sivjet me këtë sëmundje malinje mund të preken 450 gra.

“Numri i të prekurve me kancer është në rritje në këto pesë vjetët e fundit. Evidentojmë për këto raste dhe të dhënat janë të njëjta. 10 deri në 13 për qind ka rritje të rasteve me kancer nga viti në vit”.

“Pacientët lajmërohen më shumë në klinikën tonë, pasi viteve të mëhershme kanë bërë zgjidhje jashtë vendit, por për faktin që trajtimet janë të shtrenjta, viteve të fundit bëjmë trajnimet në të gjitha format e sëmundjeve malinje, sidomos të gjirit”.

Kurtishi, kishte potencuar se ekzistojnë faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që shkaktojnë kancerin e gjirit.

Muaji tetor në gjithë botën shënohet si muaj i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat, në të gjithë botën.

Nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i kishte prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhej se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030, numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionë në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore