Lajme

Vitia për rastin e 4 vjeçares: S’bëhet fjalë për neglizhencë nga institucionet – dyshimet janë se ndërroi jetë nga një bakterie


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova, ka thënë se raportet tregojnë s’ka të bëjë me neglizhencë të institucioneve.

“Kur e kam marrë lajmin edhe unë kam pasur doza të dyshimit, që ka të bëjë me neglizhencë potenciale. Kjo vjen dhe për shkakun se përkundër angazhimit të profesionistëve shëndetësore, nuk mund të mohojmë faktin se ka pasur dhe ka raste të tilla në sistemin tonë shëndetësor. Por, raportet paraprake nuk kanë evidentuar ende se bëhet fjalë për neglizhencë të qëllimshme apo të çfarëdo lloji”.

Vitia, para anëtarëve të komisionit sqaroi se s’bëhet fjalë as për shenja dhune tek vajza ashtu siç pretenduan prindërit, duke theksuar se pacientja ishte diagnostifikuar me “Sepsa” – infeksion akut i shkallës së lartë.

“Shkaktari dhe pse duhet t’i presim rezultate përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë është sfidë për mjekësinë”.

“Këtë do ta vërtetojnë hetimet. Por, çdo pretendim tani se ka mund të jetë epilog tjetër për momentin qëndron vetëm si spekulim”, ka thënë Vitia.

Ministri, sërish ka bërë thirrje ndaj organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të hetojnë rastin në fjalë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, më 22 shkurt, ka deklaruar se janë në pritje të raporteve për rastin e vdekjes së 4-vjeçares, e cila ndërroi jetë më 19 shkurt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas transferimit të saj nga Spitali i Gjakovës e që nga prindërit e saj u akuzua për neglizhencë të stafit mjekësor.

Nga SHSKUK-ja, është thënë se me të gjitha masat që kanë marrë fëmija kishe ndërruar jetë.

“Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”.

“ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë”, thuhej në komunikatën e lëshuar të mërkurën.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka filluar hetimet, meqë familja e së ndjerës është ankuar për neglizhencë të stafit mjekësor.

Pas reagimeve të shumta që u bënë nga shoqëria civile se rasti i vdekjes së 4 vjeçares ka pasur neglizhencë nga sistemi shëndetësor, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka thënë se në këtë institucion pacientja ka pasur mbikëqyrje profesionale dhe mjekësorë.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, është thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit

Pas trajtimit në spitalin e Gjakovës, pacientja u dërgua në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), më 17 shkurt, ndërsa më 19 shkurt ajo ndërroi jetë.

Trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e viktimës janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore