Kosova

Vitia: Pagat e punonjësve të higjienës në QKUK u rritën mbi 30%


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në takim me punonjësit e QKUK-së.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se të mërkurën ka mbajtur një takim me punëtorët e higjienës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se për shumë vite kanë dëgjuar nga ta nevojat dhe vështirësitë në këtë aspekt.

Vitia, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kanë ndarë buxhetin në bashkëpunim me Ministrinë e Financave e që mundëson edhe rritje të pagave të tyre aktuale.

“Sot pata mundësinë që t’i njoftoja se në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, rritëm buxhetin në mënyrë që dhe pagat e tyre të rriten. Rritja është mbi 30% e pagës aktuale”.

“Pagat duhet të jenë të dinjitetshme aq më shumë për ata që kryejnë shërbime kaq të vyeshme për shëndetin publik”, ka shkruar Vitia.

Ai tutje ka treguar edhe numrin aktual të punëtorëve që kujdesën për mirëmbajtjen e higjienës.

“Punëtorët që kujdesen për higjienën në QKUK janë në frontin e parë të përpjekjes për ta transformuar nivelin e higjienës në klinika. QKUK ka aktualisht 319 punëtorë që kujdesen për mirëmbajtjen e higjienës brenda QKUK—së”.

“Kështu, bashkë me ta folëm sot se si ne do të adresojmë kërkesat e tyre e së bashku të ecim para me planet që QKUK të jetë në tjetër nivel të shërbimeve mbështetëse”.

Ndërsa, ka pohuar se bashkë me drejtorin e SHSKUK-së, Elvir Azizi, diskutuam me ta për punët që na presim dhe investimet e mbështetjen që do të japim.

Më 9 tetor edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, kishte bërë të ditur se është marrë vendim që punëtorëve teknikë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), t’u rritet paga nga 275 nga 402 euro.

Në muajin shtator, Albanian Post kishte publikuar një artikull për mosrealizimin e kërkesës së punonjësve teknik edhe pas kalimit të gjashtë mujave.

Në muajin shkurt, premtimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia erdhi si përgjigje ndaj kërkesës Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë, ku përfshihej rritja e pagave më së paku 450 euro dhe çdo stimulim i punëtorëve shëndetësorë publikë, të jetë edhe për kompanitë që kryejnë shërbime teknike në spitale dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) e gjithashtu t’u bëhet edhe pagesa e stazhit të punës.

Ata kishin kërkuar të largohet participimi për kontrollet që bëhen në institucionet shëndetësore të punëtorëve teknikë që kryejnë shërbime për spitalet në Kosovë, të kthehen nën menaxhim të spitaleve këta punëtorë dhe t’u mundësohet ushqim falas në mensat e spitaleve.

Të gjitha këto u dorëzuan më 21 shkurt dhe nga atëherë Vitia, i la në pritje punonjësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore