Lajme

Vitia: Kontingjenti i dytë i vaksinave anti-COVID, pritet të arrijë në fund të muajit prill


Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Arben Vitia, në një konferencë për media dhënë në sallën “1 Tetori”, aty ku edhe po jepen vaksinat, ka thënë se pritet që në fund të prillit ose në fillim të majit do të vijnë edhe dozat e tjera, saktësisht kontingjenti i dytë i vaksinave.

“Kontingjenti i dytë i këtij grupi pritet të vij nga fundi i muajit prill ose nga fillimi i muajit maj, këto janë së paku fjalët që kemi nga kompania, Covax. Ndërsa për dozën e dytë është qershori. Jemi në kohë”, tha Vitia.

Vitia, është shprehur se masat që kanë hyrë në fuqi që nga dita e mërkurë, duhet të zbatohen pavarësisht nga numri i qytetarëve të cilët janë duke u vaksinuar.

Ministri Vitia, tutje ka theksuar se ai dhe kabineti i tij janë në diskutime e sipër, me kompani prodhuese dhe me shtetet mike, që ta ndihmojnë Kosovën, të ketë furnizim sa më të madh me vaksina anti-COVID.

“Ne jemi duke diskutuar me secilin vend mik, duhet ta kemi parasysh se një numër i madh i tyre kanë marrë shumë më shumë vaksina, por të gjitha shtetet po përballen me këtë problem, është problematike të shpërndajnë vaksina edhe për ne”, ka thënë Vitia.

Deklaratën, Arben Vitia, e ka përfunduar duke folur rreth pjesës së negocimit me kompanitë prodhuese, ku theksoi se për shkak të një kontrate të konfidencialitetit, akoma nuk mund të jap një deklarate finale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore