Zgjedhjet në Kosovë

Vitia: Do të presim të gjitha rezultatet nga KQZ-ja


Arben Vitia, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Arben Vitia, ka deklaruar se do të dalin me shifra në momentin kur të publikohet rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vitia deklaroi para mediave se gara është e ngushtë, mirëpo janë duke prirë me dy për qind dallim.

“Po e presim rezultatin, sapo ta marrim nga KQZ-ja do të dalim t’iu njoftojmë. Jemi dy pikë përpara sipas sondazheve. Votat janë duke u numëruar, është një rezultat shumë i ngushtë”, deklaroi Vitia në konferencë për media

Ndërsa, ka lavdëruar punën e institucioneve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Sot kanë qenë një palë zgjedhje të jashtëzakonshme, tash e sa kohë Kosova po jep shembull për organizim të zgjedhjeve. Dua t’i falënderoj institucionet për organizimin e zgjedhjeve”.

EXIT POLL: Rezultati për Prishtinën

Sipas sondazhit të Albanian Post, Lidhja Demokratike e Kosovës – përkundër se me rezultat të ngushtë – pas tetë vjetësh, do ta rikthejë Prishtinën.

Kështu tregon rezultati i EXIT POLL i realizuar nga Albanian Post dhe Instituti “Source”.

Përqindja është tejet e afërt, por megjithatë rezultati tregon se Përparim Rama ka 50.98%, derisa Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje ka 49.02 të përqindjes së përgjithshme.

Ndërsa, nga numërimi i votave të deri tashme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Përparim Rama nga LDK ka marrë 51,47 për qind apo 17 mijë e 887 vota, ndërsa Arben Vitia nga LVV ka 48,53 për qind ose 16 mijë e 862 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore