Lajme

Viti i ri, problemet e vjetra


Foto: Albanian Post.

Pa asnjë ndryshim e pa asnjë përmirësim mbeti shëndetësia e vitit 2022.

Pandemia edhe pse kishte lënë probleme mjaft të mëdha në këtë sektor kanë vazhduar të jenë problemet e vjetra që për vendin konsiderohen jetike.

Që nga formimi i Qeverisë së parë, Ministria e Shëndetësisë, është udhëhequr nga 11 ministra gjithmonë në përpjekje për t’i zgjidhur problemet që mbizotërojnë tash e pothuajse dy dekada.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë kosovare.

Për të gjitha këto probleme njohësit e fushës së shëndetësisë gjithmonë kanë deklaruar se ka zgjidhje, por që duhet angazhim.

Por, zgjidhja nuk mund të kërkohet nëse në krye të këtij sektori ka munguar për një kohë të gjatë personi kryesor.

Kosova, po e nis vitin 2023 sërish në krye me Arben Vitinë

Ishte 6 tetori dita kur ministria e Shëndetësisë mbeti pa udhëheqës, prapë.

Për 79 ditë kjo pozitë qëndori pa ministër, për vetëm një qëllim që në krye të saj të vendoset sërish ministri i njejtë i cili dha dorëheqje për të kandiduar për një pozitë tjetër.

Arben Vitia u emërua sërish në këtë pozitë, të martën e 27 dhjetorit.

Ndërrimi i ministrave në shëndetësinë e Kosovës, ka qenë diçka që e ka përcjellur vazhdimisht vendin.

Për zgjidhjen e problemeve në këtë sektor konsiderohet se vështirë mund të ketë një person adekuat, i cili mund është i duhur për të zgjidhur të paktën një numër prej problemeve kryesore që mbizotërojnë tash e sa vite në këtë fushë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Edhe njohësit që merren me fushën e shëndetësisë e që përcjellin këtë sektor nuk mund të theksonin një emër, i cili do të ishte i duhur për këtë pozitë.

Gjatë qeverisjes së Kurtit, ministri i shëndetësisë Rifat Latifi, ishte i dyti që u largua nga kjo pozitë.

14 shtatori ishte pikërisht dita kur Latifi do e kuptonte përfundimisht se është kurthuar në një eksperiment qeverisës brutalitetin.

Arsyjet e largimit të Latifit nuk u bënë të ditura në fillim, mirëpo ish kreu i këtij dikasteri pas dy muajve deklaroi se “shëndetësia në Kosovë është e rrënuar nga korrupsioni madhor”.

Për zgjidhjen e problemeve në shëndetësi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke u përballur me vështirësi për të vendosur personin adekuat për të zgjidhur problemet kishte themeluar Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi i cili do të udhëhiqej nga vetë ai.

Takime këto të cilat u zhvilluan mjaft rrallë.

Për çështjet e lënë pezull nuk u gjet as zgjidhje dhe deri tani as nuk ka pasur përmirësim.

Ndryshe kjo shëndetësi e këtij viti është e njohur edhe si “shëndetësia e ushtruesve të detyrës”.

Tri nga institucionet shëndetësore më të rëndësishme funksionojnë me ushtrues detyre.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore edhe Inspektorati Shëndetësor, të gjitha këto funksionojnë me ushtrues detyre.

Po ashtu, një numër i madh i klinikave në komuna e në QKUK, funksionimin e tyre e bëjnë me ushtrues detyre.

Largimi i mjekëve nga Kosova – sistemi shëndetësor mund të kolapsoj

Fenomeni i largimit të mjekëve vetëm sa ka shkuar duke u rritur viteve të fundit.

Viti 2022, ishte pikërisht viti ku numri i largimit të mjekëve vetëm sa shënoi rritje.

Mirëpo, me theks të veçantë ishte largimi i profilit të anesteziologëve.

Lidhur me këtë çështje Albanian Post kishte zhvilluar intervistë me kryetarin e Shoqatës së Anesteziologëve, Lulzim Eminin, i cili kishte alarmuar që po s’u ndërmor diçka dhe atë shumë shpejt, i gjithë sistemi rrezikon të kolapsojë.

“Ne kemi pesë anesteziolog. Faji është tek ata që kanë bërë politika për resurse në njerëz, politika në shëndetësi, të gjithë ata që kanë udhëheqës në ministri të shëndetësisë prej vitit 1999 e deri më sot janë përgjegjës. Të gjitha ata duhet ta dinë ku e kanë sjellur vendin me numër të anesteziologëve”, kishte thënë Emini.

27 vjet përvojë, ai asnjëherë nuk e kishte parë me keq shëndetësinë sesa aktualisht.

“Në momentin kur t’i përballësh me mungesë të një kuadri domethënë ti atë kuadër nuk e ke planifikuar në mënyrën më të mirë të mundshme për këto vite. Unë flas për keqplanifikim për 23 vite, flas për keqmenaxhim të resurseve në njerëz sa i përket anesteziologëve”.

“Momentalisht, kjo gjendje është emergjencë shtetërore, kombëtare si pasojë e mungesës së këtij profili”.

Anesteziologët nuk prodhohen brenda natës, prandaj nëse institucionet nuk e kanë parë largimin e tyre në vitet e fundit, sot është shumë vonë.

Në muajin tetor, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, kishte bërë të ditur se 185 mjekë janë larguar deri më tani nga Kosova drejt vendeve të ndryshme evropiane.

E një tjetër drejtim specialistik i shëndetësisë që po vdes në Kosovë është “mjekësia e punës”.

Është një nga specializimet më të rëndësishme dhe për faktin se shërbimet jepen jashtë.

Nga gjithsej 4 mijë e 800 mjekë sa janë në Kosovë, vetëm 20 prej tyre janë të specializuar në këtë fushë, shumica prej tyre afër pensionit.

Në Kosovë s’ka ekspertizë, jashtë Kosove s’ke ndihmë

Meqë në Kosovë, vazhdon të ketë vështirësi për shërimin e disa sëmundjeve, pacientët zgjidhjen e kërkojnë jashtë vendit.

Mirëpo shteti nuk i ndihmon.

Përgjigjja që zakonisht presin nga shteti është mbulimi i 70 për qind i shumës së shpenzuar në spitalet jashtë Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë vazhdon të ketë vetëm një marrëveshje atë me Turqinë që çdo vit i trajtojnë falas 100 pacientë nga Kosova.

Klinikat të cilat referojnë më së shumti pacientë për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike janë: Ortopedia, Pediatria, Oftalmologjia, Hematologjia, Neurokirurgjia dhe Urologjia.

Po, trajtimi në QKUK?

Pacientet peshën e shpenzimeve e bartin vetë edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), madje edhe për medikamentet më elementare.

Ky institucion shëndetësor detyron pacientët që të paguajnë edhe për fasha.

Përveç kësaj, pacientët jo vetëm që blejnë fashat, por detyrohen që të blejnë edhe infuzionet gjatë trajtimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Drejtorët e Qendrave të Mjekësisë Familjare e kishin konfirmuar këtë lajm për Albanian Post.

As nga ministria e Shëndetësisë nuk ishte mohuar, por ishin arsyetuar se mungesa e tyre po ndodh për shkak të rritjes së çmimeve.

Listat e pritjes në QKUK

Në klinikat e Kirurgjisë Abdominale, Vaskulare, Plastike, Ortopedike dhe Oftamologjike, sikurse edhe në Klinikën Radiologjike – për CT dhe sMRI, listat e pritjes janë shumë të gjata, me muaj deri në një vit.

Për listat e gjata të pritjes në të gjitha klinikat e ShSKUK-së është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.

Mirëpo, në atë kohë kur deputetët opozitarë kërkonin që të ndërmerren masa, listat e pritjes për procedura diagnostike shkonin deri në tetë muaj.

Tani kohëzgjatja e pritjes është rritur për 50 përqind.

Foto: Albanian Post.

Një tjetër vit pa Spitalin e Prishtinës

Qysh nga viti 2019, ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilat, kishin nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Mirëpo, ky projekt edhe pse parashihej të përfundonte në vitin 2021, punimet ende as nuk kanë filluar.

Dhe sërish ideja rreth spitalit vazhdon të jetë shumë e paqartë.

Hulumtues të ndryshëm që kanë përcjellur këtë projekt gjatë intervistimit nga Albanian Post kishin deklaruar se ky projekt vështirë është i realizueshëm edhe gjatë dy viteve të ardhshme.

“Gjasat që ky projekt të përfundojë në afatin e planifikuar, pra në vitin 2024 janë shumë të vogla, për arsye se përveç planit të fizibilitetit, ende nuk kemi parë ndonjë hap tjetër konkret të ndërmarr nga Komuna e Prishtinës, ende nuk kanë filluar as me procedurat e prokurimit”, kishte thënë Diell Musa, hulumtues në INPO për AP.

Spitali i Prishtinës.

Ky projekt është i përfshirë në buxhetin e Republikës së Kosovës prej vitit 2021 dhe deri në vitin 2024.

Për projektimin dhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës thuhet se janë të ndara tashmë afër 7 milionë e 500 mijë euro.

Cilat janë problematikat që kërkojnë zgjidhje nga ministri Vitia?

Shëndetësia edhe mund të ketë pasur zgjidhje në disa çështje.

Por, janë disa të cilat qëndrojnë pezull tash e më shumë se një dekadë.

Sfidat me të cilat do të ballafaqohet ministri i ardhshëm është reformimi i sistemit dhe në të njëjtën kohë përballja me ikjen e mjekëve.

Edhe problemet e tjera të vjetra të cilat vazhdojnë të mbesin po aty, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesë e barnave dhe materialeve, dhe infrastruktura e dobët në shumë klinika e spitale.

Problemi mund të qëndroj edhe tek buxheti për shëndetësi, i cili konsiderohet si jo i mjaftueshëm.

Edhe mungesa e stafit dhe ikja e tyre për në vendet jashtë Kosovës ose për në sektorin privat në Kosovë.

Kosova vazhdon të jetë pjesë në grupin e shteteve si Bjellorusia, si disa nga vendet e pakta që nuk kanë unifikim të çmimit të barnave.

Prandaj, barnatoret e Kosovës kanë një laramani të çmimeve pasi në asnjërën prej tyre medikamentet nuk blihen me çmim të njëjtë.

Zgjidhja, siç kishin thënë vetë farmacistët për Albanian Post, do të ishte e thjesht – vendosja e çmimit tavan.

Megjithëse nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, kishin deklaruar për Albanian Post se projektligji për çmimin e barnave gjatë shtatorit pritet të dërgohet në Qeveri dhe në Kuvend e pastaj për procedim të mëtejshëm për aprovim.

Pavarësisht kësaj as në shtator nuk u vendos një çmim tavan për këtë proces, pra mbeti vetëm njëri nga premtimet e parealizuar.

Edhe nga ministria kishin thënë se ka “pritshmëri” që ky ligj të miratohet këtë vit si dhe të përcaktohet edhe dinamika e zbatimit të tij.

Si po kërkohet zgjidhja për problemet shëndetësore në Kosovë?

Meqë mjekët janë drejt largimit, lutja e ministrisë së Shëndetësisë para dy muajve ka qenë që mjekët nga diaspora të kthehen dhe të të kontribuojnë në Kosovë për përmirësimin e këtij sektori të dështuar.

“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ishte thirrja e kryeministrin Albin Kurti në kohën kur Latifi ishte ende ministër.

Ai u largua, e të tjerët as që erdhën.

Foto: Albanian Post.

Por sërish sipas kryeministrit fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova, nuk është ashtu siç po proklamohet me pompozitet nga disa individë.

Sipas tij shifrat dhe përshtypja që po krijohet janë më të fryra se sa realiteti, kur fjala bie për largimin e profesionistëve shëndetësorë.

“Nuk po them që ka mjek që nuk po shkojnë, mirëpo nuk mendoj që është në rregull që çdo e dyta fjali në shëndetësi të jetë për mjekët që po shkojnë sepse nuk reflekton realitetin”, kishte thënë Kurti në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Se kjo lutje as nuk u dëgjua nga ata që duhej e vërteton edhe fakti se vetëm 2 mjekë i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë për t’u kthyer me punë në Kosovë.

Pra, shëndetësia dështoi edhe një herë tjetër.

Problemet e mëdha mbesin sërish të pazgjidhura.

Ky sektor vazhdon të jetë në rrugë të gabuar, ndoshta pazgjidhje ose me një ngecje afatgjate deri në zgjedhjen e një personi të duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore