Përballje

Viti i brishtë për futbollin kosovar


Futbolli kosovar, e në veçanti përfaqësuesja e Kosovës, ka pasur një rritje të konsiderueshme në arenën ndërkombëtare në vitet e fundit.

Por, viti 2021 ka qenë disi i brishtë për futbollin kosovar, ashtu sikurse edhe për atë të kombëtares, të cilët patën formë disi të luhatshme në ndeshjet e tyre.

Përfaqësuesja e Kosovës:

Dëmtimet e lojtarëve të rëndësishëm, mungesa e tyre shkaku i Coronavirusit, dhe disa gjëra të tjera, bënë që Dardanët të kishin paraqitje të zbehta në arenën ndërkombëtare.

Dhe kjo formë jo e mirë, bëri që zvicerani Bernard Challandes të shkarkohet nga posti i trajnerit të Dardanëve.

Në fakt Kosova e nisi mirë vitin 2021, të cilët ndeshjen e parë, miqësoren ndaj Lituanisë e fituan me shifrat 4:0.

Dhe, vetëm tre ditë pas atij suksesi, Dardanët filluan aventurën kualifikuese të Kupës së Botës, ku në grup u shortuan së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Kampanjën kualifikuese, djelmoshat e Challandes-it e nisën përballë Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndeshje të cilën e humbën me rezultat 0:3.

Pas kësaj ndeshje, Kosova udhëtoi drejt Sevilla-s për t’u përballur me kombëtaren e Spanjës, takim ky i cili solli shumë polemika.

Spanjollët fillimisht nuk donin të pranonin që kjo ndeshje të zhvillohej me simbole kombëtare të shtetit të Kosovës, pasi që ata nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Por, kjo gjë nuk u pranua nga delegacioni i Kosovës dhe spanjollët u detyruan ta zhvillojnë këtë ndeshje, sikurse përcaktojnë rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s.

Mirëpo, këtë ndeshje e humbi Kosova me rezultat 1:3, përkundër që shfaqën një lojë shumë të mirë, madje Besar Halimi shënoi një supergol nga një distancë e largët.

Muaji mars kaloi pa asnjë pikë të marrë nga kombëtarja e Kosovës në kualifikueset e Kupës së Botës, derisa në muajin qershor, Dardanët do t’i zhvillonin katër ndeshje miqësore.

Më 1 qershor Kosova fitoi miqësoren ndaj San Marinos me rezultat 4:1, në të cilën Vedat Muriqi shënoi katër gola.

Tre ditë më pas, verdhekaltërit shënuan një tjetër fitore, atë ndaj Maltës, të cilën e fituan 2:1, falë golave të Milot Rashicës.

Pas këtyre ndeshjeve, Kosova zhvilloi edhe dy miqësore tjera me kombëtare afrikane, në të cilat, trajneri Challandes vendosi t’iu japë minuta në fushë disa lojtarëve që nuk kanë pasur më herët paraqitje për kombëtaren.

Të parën miqësore ndaj Guineas, Kosova e humbi me rezultat 1:2, ndërsa në të dytën shënoi fitore me rezultat minimal 1:0.

Këto ndeshje u harruan, teksa radha erdhi që Dardanët t’iu kthehen synimit të tyre, një arritje më të madhe në kualifikueset e Kampionatit Botëror.

Më 2 shtator, Kosova do të merrte fitoren e madhe përballë Gjeorgjisë në udhëtim, kështu duke arkëtuar tri pikët e para në grup.

Tre ditë më pas, verdhekaltrit do të ishin nikoqir i Greqisë, ndeshje në të cilën barazuan e rezultat 1:1, përkundër që meritonin një fitore.

Gjithashtu, një rezultat më të mirë se sa humbja 0:2, Dardanët e merituan edhe në takimin përballë Spanjës që u zhvillua në Prishtinë më datën 8 shtator, por kësaj here fati nuk ishte në anën e tyre.

Pas këtyre tri ndeshjeve, kampanja kualifikuese do të rikthehej një muaj më vonë, ku djelmoshat e Kosovës do të luanin edhe dy takime tjera.

Fillimisht ishte radha që të vizitohej Suedia më 9 tetor, ndeshje të cilën Kosova e humbi me rezultat 3:0, pastaj erdhi humbja më dëshpëruese ndaj Gjeorgjisë në shtëpi.

Menjëherë pas këtij dështimi, drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës iu humbi durimi, të cilët shkarkuan trajnerin Bernard Challandes.

Pra, një ditë pas kësaj humbje, Challandes do të shkarkohej më datën 13 tetor, nga pozita të cilën e mbajti për tre vite e gjysmë.

Gjatë kësaj periudhe, zvicerani udhëhoqi ekipin kombëtar në 40 ndeshje zyrtare, prej të cilave shënoi 18 fitore, 14 humbje dhe tetë barazime.

Pa Challandes-in në stol, Kosova do të zhvillonte edhe dy ndeshje tjera, ku trajner i përkohshëm do të ishte slloveni Primoz Gliha, i cili ishte ndihmës i zviceranit.

Me Gliha-n në stol, Kosova do të merrte fillimisht një humbje dëshpëruese në miqësoren ndaj Jordanisë më 10 nëntor, pastaj do të vinte ndeshja e fundit kualifikuese për Kupën e Botës, ajo ndaj Greqinë, e cila u mbyll në barazim 1:1.

Kjo ishte ndeshja e fundit për Kosovën në vitin 2021, derisa ata presin të harrojnë këtë periudhë dëshpëruese dhe të rikthehen me rezultate pozitive në vitin e ardhshëm.

Më 16 dhjetor, përfaqësuesja dardane mësoi edhe shortin në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku sërish do të jetë bashkë më Greqinë.

Përveç Greqisë, në këtë grup bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut, si dhe njëra mes Qipros ose Estonisë.

Viti 2021 në Superligën e Kosovës në futboll:

Sezoni 2020/21 në BKT Superligën e Kosovës në futboll, rinisi më 13 shkurt, me ndeshjet e raundit të 19-të.

Klubi futbollistik Prishtina, e nisi në mënyrën më të mirë gjysmësezonin pranveror, të cilët morën gjashtë fitore radhazi, duke marrë pozitën e parë në tabelë.

Rivalët e kryeqytetasve ishin Drita dhe Ballkani, mes të cilëve zhvillohej një betejë e ashpër për titullin kampion në Superligë.

Dhe, në fund ia doli të triumfojë Prishtina, të cilët u shpallën kampionë me 78 pikë, ndërsa në pozitën e dytë mbeti Drita me dy pikë më pak.

Të dyja këto skuadra do të dilnin në Evropë, së bashku me Llapin, të cilët arritën të fitonin Kupën e Kosovës gjatë këtij edicioni.

Ndërsa, Trepça’89, Arbëria dhe Besa do të binin nga kategoria e parë, për t’u ngjitur në Superligë Ulpiana, Dukagjini dhe Malisheva.

Garat evropiane për klubet kosovare:

Prishtina do të garonte në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, derisa Drita e Llapi do të tentonin një vend në Europa Conference Leauge, i cili është kompeticioni më i ri i UEFA-s për klube në Evropë.

Kampionët në fuqi të Kosovë, fillimisht do të zhvillonin garën preliminare të Ligës së Kampionëve, ku do të kalonin pa problem kampionin e San Marinos, SS Folgore, pastaj në finale do të triumfonin ndaj kampionit të Andorrës, Inter Escaldes.

Pas kalimit të kësaj gare, Prishtina do të luante ndeshjen e parë në kualifikimet direkte për Ligën e Kampionëve, ku shorti bëri që të kenë përballë një ekip të vështirë, kampionin e Hungarisë, Ferencvaros-in.

Në të dyja ndeshjet, bardhekaltrit u mposhtën me rezultat të përgjithshëm 6:1, derisa pas këtij eliminimi, ata do ta gjenin vetën në kualifikimet për Ligën e Konferencës.

Të parin raund prishtinasit e kaluan duke mposhtur skuadrën uellsiane, Connahs, me rezultat të përgjithshëm 6:5.

Por, në raundin e dytë pësuan nga kampionët e Norvegjisë, Bodo/Glimt, ndeshje në të cilën kosovarëve nuk iu priu fati, pasi u mposhtën me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Këtu përfundoi aventura evropiane për Prishtinën, e cila u konsiderua mjaftë e suksesshme.

Ndërkohë Drita e Llapi do të merrnin pjesë në kualifikimet për Ligën e Konferencës.

Në këtë rrugëtim, Llapi u ndal që në raundin e parë, të cilët u eliminuan nga skuadra maqedonase, Shkupi, me rezultat të përgjithshëm 3:1.

Ndërsa Drita në raundin e parë arriti ta mposhtë skuadrën malazeze, FC Decic me rezultat të përgjithshëm 3:1, kurse në të dytin u eliminua nga gjiganti holandez, Feyenoord me rezultat 3:2.

Mirëpo, pavarësisht eliminimit, gjilanasit arritën të shfaqnin një paraqitje historike ndaj holandezëve, ndaj të cilëve në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, u ndanë me barazim pa gola, ndërsa në të dytën arritën të shënonin dy herë.

Pra, këtu do të mbyllej aventura evropiane për tri ekipet kosovare, e cila mund të konsiderohet relativisht e mirë.

Edicioni 2021/22 në Superligën e Kosovës në futboll:

Edicioni 2021/22 në BKT Superligën e Kosovës në Futboll, do të niste më 21 gusht, ku ndeshjet e raundit të parë sollën mjaftë rezultate befasuese.

Kampioni në fuqi, Prishtina, nuk do ta niste aspak mirë këtë edicion, të cilët fitoren e parë do ta merrnin vetëm në xhiron e pestë të këtij edicioni.

Tani kur kanë kaluar 18 xhiro nga ky edicion, është duke u zhvilluar një garë e ashpër për vendet e para, ku janë duke garuar Gjilani, Drita dhe Ballkani.

Kampioni vjeshtor është Gjilani me 35 pikë, e ndjekur nga Drita me 35 dhe Ballkani me 33.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore