Kosova

“Viti 2021, vit tranzicionesh” – Përmbledhja e Borell, asnjë fjalë për dialogun


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Joseph Borell, në një shkrim autorial të tij të titulluar “2021 në rishikim: Një vit tranzicioni”, ka përmbledhur ngjarjet më të rëndësishme politike të cilët kanë ndodhur në Evropë, Amerikën Latine, Azinë dhe Afrikën gjatë vitit që po lëmë pas, pa përmendur askund dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa Ballkanin Perëndimor e ka përmbledhur në një fjali të vetme.

Kreu i diplomacisë së BE-së, ka prekur ngjarjet që kanë ndodhur në Amerikën Latine, Afrikë, situatën në Ukrainë, zgjedhjen e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ndërsa ngjarjet në Ballkanin Perëndimor, Borrell e ka përmbledhur vetëm me zhvillimet e fundit politike në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Rritja e retorikës dhe veprimeve përçarëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, kanë penguar gjithashtu përpjekjet për t’i sjellë gjashtë vendet më afër të ardhmes së tyre evropiane”, ka shkruar Borrell.

“Kjo përmbledhje e shkurtër nuk është aspak shteruese, por doja të kujtoja disa nga çështjet më të spikatura. Në vitin 2021, ne kemi punuar për të mbrojtur interesat dhe vlerat e BE-së dhe për të forcuar një rend global të bazuar në rregulla në këtë vit tranzicioni. Kjo punë duhet të vazhdojë në vitin 2022 me gjithë vendosmërinë”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore