Lajme

Vishaj: Pacienti i dyshuar për infektim nga Lija e Majmunit është drejt përmirësimit


Klinika Infektive.

Pacienti i dyshuar me Lijën e Majmunit, i cili po qëndron në një repart të veçantë të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është në gjendje stabile dhe drejt përmirësimit.

Kështu ka bërë të ditur për Albanian Post përmes një përgjigje me shkrim, drejtori i Klinikës Infektive Arben Vishaj.

“Gjendja e pacientit është stabile. Ka përmirësime. Kur të marrim rezultatin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ju informojmë”, ka thënë Vishaj për AP.

Drejtori i Klinikës Infektive Arben Vishaj.

Të martën 8 qershorit, mostra e rastit të parë të dyshuar për Lijën e Majmunit në Kosovë është dërguar për testim në laboratorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Holandë.

Ndryshe autoritetet shëndetësore në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi po hetojnë një shpërthim të fundit të rasteve të lisë së majmunëve, një sëmundje e rrallë virale e kufizuar zakonisht në Afrikë.

Foto: Ilustrim i lijes së majmunëve.

Çka është sëmundja e lijës së majmunëve?

Sipas infektologut, Gëzim Morina, “lija e majmunit është sëmundje virale, zonotike që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore që i takon grupit ORTHOPOXIVIRUS të familjes POKSIVIRIDAE që janë dy variante”.

“Varianti i Kongos i cili është me i rëndë, me vdekshmëri 10 për qind dhe i dyti është varianti i Afrikës Perëndimore i cili është variant më i butë i cili ka vdekshmëri 1% të rasteve të prekura, fatmirësisht rastet e raportuara në Evropë i takojnë variantit të Afrikës Perëndimore”.

Morina, tutje bën të ditur edhe transmetimin e kësaj sëmundje.

“Transmetohet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve: majmunit dhe më rrallë midis njerëzve. Bartja e infeksionit bëhet me kontaktin e ngushtë mes personit ose kafshës së infektuar me virus, ndërsa transmetimi nga njëri person në tjetrin bëhet përmes kontaktit të ngushtë me LEZIONE (puçrra, lëngje trupore, piklat e frymëmarrjes dhe materialet e kontaminuara si shtrati i pacientit si batanijet, peshairet, etj.)”.

Por, ai konsideron se tash ka një transmetim më të ndryshëm të kësaj sëmundje.

“Shfaqja klinike e sëmundjes është me ethe të vazhdueshme, dridhje, temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje muskujve(dhimbje e trupit), vjellje, skuqje dhe ënjte të nyejve limfatike që mund të çojnë deri te komplikimet mjaft serioze që mund ta sjellin edhe vdekjen e pacientit”.

Ndërsa kohëzgjatja e këtij virusi është 2 deri në 4 javë.

“Terapia Simptomatike bëhet vetëm në raste të infeksioneve sekondare bakteriale (jepen antibiotikë). Vaksinimi për lijen e madhe ofron mbrojtje edhe nga lija e majmunit. Por, janë zhvilluar vaksinat edhe më të reja që janë miratuar për parandalimin e lijes së majmunit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore