Virginia Roberts Giuffre akuzon Princin Andrew për dhunë seksuale
SHFLETO
Virginia Roberts Giuffre - Avokate për çështjet e trafikimit seksual
Labinot Nimani
11.08.2021 11:10
Loading Icons...
Pallati mbretëror është “tronditur” përsëri!
Por, kësaj radhe protagonistë të “kaosit”, nuk janë Princi Harry e as Meghan Markle, pasi që ndodhia e fundit ka të bëjë me Dukën e York-ut, Princin Andrew, kundër të cilit është ngritur padi për abuzim seksual.
Sipas Gjykatës Federale, avokatja e trafikimit seksual, Virginia Roberts Giuffre, ka ngritur padi kundër Princit Andrew, për të cilin ka thënë se “e ka detyruar të kryej marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj dhe nën moshë”.
Në padinë e saj, Giuffre pretendon se Princi Andrew e abuzoi seksualisht me ftesën e Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell ( ish të akuzuar për trafikim të grave nën moshë), kur ajo ishte e mitur dhe se rastet e abuzimit seksual të dyshuar ndodhën edhe në shtëpinë e Maxwell në Londër edhe në shtëpinë e Epstein në SHBA.
“Princi Andrew kreu sulme seksuale dhe dhunë ndaj paditësit kur ishte 17 vjeç. Si i tillë, Princi Andrew është përgjegjës për shkaktimin e shqetësimeve emocionale në përputhje me ligjin e zakonshëm të New York-ut. Dëmi ndaj paditësit ka qenë i rëndë dhe i qëndrueshëm”, deklaron padia.
Po ashtu, në padi thuhet se “Giuffre kishte frikë nga mosbindja e urdhrave të Epstein, Maxwell dhe Princit Andrew, ‘për shkak të lidhjeve të tyre të fuqishme, pasurisë dhe autoritetit’”.
Virginia është një viktimë e dyshuar e trafikantit të famshëm, Jeffrey Epstein, dhe edhe më parë, në vitin 2019, ajo kishte treguar publikisht se “ishte e detyruar të kryente akte seksuale me Princin Andrew”.
Por, Pallati Mbretëror “Buckingham Palace” i pati mohuar akuzat e saj, duke thënë “prerazi që Duka i York-ut, nuk kishte ndonjë formë kontakti ose marrëdhënie seksuale me Virginia Roberts. Çdo pretendim për të kundërtën është i rremë dhe pa bazë.”
Në anën tjetër, bë një intervistë në BBC në vitin 2019, Princi Andrew, kishte thënë se “nuk e kishte takuar kurrë Giuffre”, ndërsa ka pretenduar se një fotografi që po qarkullonte në rrjet, ku shihej ai dhe Giuffre, mund të ishte “fotoshop”.
Duka i York-ut, gjithashtu ishte treguar shumë jo bashkëpunues me autoritetet të cilat po hetonin rastin aso kohe.
“Deri më sot Princi Andrew ka siguruar zero bashkëpunim”, kishte thënë në vitin 2019, ish -prokurori amerikan për Qarkun Jugor të New York-ut, Geoffrey Berman,.
Gjithsesi, Giuffre po kërkon dëmshpërblim “me një shumë që do të përcaktohet në gjyq”, si dhe tarifat e avokatëve dhe lehtësime të tjera të mëtejshme”, siç gjykata mund t’i konsiderojë të drejta dhe të duhura”.
Kujtojmë se, Jeffrey Epstein u akuzua për trafikim seksual të të miturve dhe komplot për t’u përfshirë në trafikimin seksual të të miturve në korrik të vitit 2019, për të cilin ai u deklarua i pafajshëm.
Por, pak javë më vonë ai u gjet i vdekur në qelinë e tij të qendrës federale të paraburgimit në Manhattan.
Ndërsa, Ghislaine Maxwell, u akuzua në vitin 2020 për rolin e saj të dyshuar në rekrutimin, pastrimin dhe abuzimin seksual të vajzave të mitura të moshës 14 vjeç, dhe më vonë, me akuza për trafik seksual. Ajo është deklaruar e pafajshme për të gjitha akuzat.