Lajme

Viktimat nga sulmi në Dnipro shkojnë në 44


Ka shkuar tashmë zyrtarisht në 44 numri i viktimave, pas një sulmi rus në një zonë rezidenciale në Dnipro të Ukrainës.

Lajmin e kanë përcjellë vetë autoritetet ukrainase, pas kërkimeve të shumta të ndodhura përgjatë dy ditëve të fundit, teksa shanset për të gjetur ndonjë të mbijetuar tjetër janë minimale, në mos inekzistente.

Kanë qenë 39 persona në tërësi, të cilët janë shpëtuar nga rrënojat, ku 75 banorë të pallatit, i cili u godit, kanë marrë dëmtime të shumta.

Ndër viktimat, mësohet se ka edhe dy fëmijë, ndërsa 14 fëmijë të tjerë, kanë mbetur të plagosur.

Bilanci pritet të rëndohet edhe më tej, përderisa 26 persona rezultojnë ende të zhdukur dhe shanset për t’i gjetur ata gjallë tashmë janë shumë të ulëta.

Kërkimet vijojnë intensivisht, siç ka garantuar edhe kryebashkiaku i Dnipros, Borys Filatov, por me pesimizëm për gjetjen e trupave të tjerë të gjallë.

Sulmin brutal e ka dënuar edhe diplomacia shqiptare përmes ministres për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, e cila bëri thirrje në arenën ndërkombëtare për ta mbajtur Moskën përgjegjëse të këtyre sulmeve.

“Jam e tronditur nga bilanci i vdekjeve prej sulmeve ruse në një zonë rezidenciale në Dnipro”, shkruan kryediplomatja shqiptare, përmes një postimi në median sociale Twitter, duke shtuar se ky është një krim lufte i pabesë rus, i radhës.

Sipas saj, strategjia dhe taktika e vërtetë e Kremlinit në Ukrainë, ngjan më shumë me vepra terrorizmi të ndërmarra, të cilat janë të paimagjinueshme për një vend modern dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ndaj, në këtë cilësi, këto krime nuk duhen mbetur pa ndëshkuar. Por, të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku, në mënyrë që i gjithë zinxhiri rus i komandës të mbahet fajtor për këto krime të kryera.

Kryediplomati ukrainas, Dmytro Kuleba, ka qenë i pari, i cili ka kërkuar dënimin e menjëhershëm ndërkombëtar lidhur me këto goditje, duke ushtruar sërish presion mbi ardhjen e armëve të reja, për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë, të cilët e godasin Ukrainën çdo ditë.

Shtatë vendeve superfuqi botërore, të grupimit G7, nga ana tjetër, së bashku me Bashkimin Evropian, u ka bërë thirrje të shtojnë sanksionet kundrejt Moskës pa asnjë vonesë, në mënyrë që lufta ruse të mos financohet më prej ekonomive perëndimore, në mënyrë indirekte.

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar ndërkohë edhe në kryeqytetin, Kiev dhe rrethinat e tij, por nuk është raportuar ende për viktima apo të plagosur.

Nga ana e saj, Rusia pretendon se është e përqendruar që të godasë infrastrukturën energjetike dhe atë ushtarake ukrainase, pa prekur kësisoj civilët.

Mirëpo, ashtu si edhe në raste të tjera, ka rënë në sy fakti se janë sulmuar përtej zonave rezidenciale, edhe spitale, shkolla apo kopshte.

Në Lviv, qytetin më perëndimor ukrainas, ka pasur po ashtu shpërthime të forta të dëgjuara, pa dëme në njerëz.

Teksa, luftimet vijojnë të jenë të ashpra në zonën lindore dhe jugore të vendit.

Për ministrin e Energjisë në Ukrainë, Herman Halushchenko, ditë shumë të vështira i presin qytetarët e vendit të tij, për shkak të dëmtimeve të mëdha në infrastrukturën energjetike.

Teksa po punohet që ngrohja të mos u mungojë familjeve ukrainase, edhe me krijimin e qendrave të grumbullimit, të cilat operojnë me gjeneratorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore