Viktimat e dhunës seksuale në luftë ta thyejnë heshtjen, thotë Kurti

SHFLETO

Albin Kurti

 

Dreni Himbeqa
19.06.2024 9:11
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, ka theksuar se është detyrim i gjithkujt përkrahja e të mbijetuarve, ndërsa ka inkurajuar këta të fundit të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte.

“Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Lidhur me këtë, Kurti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës përmes ndryshimit të ligjit ka zgjatur afatin për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025.

“Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra. Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”. ka shtuar ai.