Tregjet

Vijon rritja e kostove të prodhimit në Eurozonë


Prodhues nga Eurozona raportojnë për rritjen më të madhe në dekadën e fundit të kostove për materialet bazë në prodhim.

Përgjegjësinë kryesore për këtë e ka sigurisht situata e pandemisë, e cila ka çrregulluar ofertën në treg për këto kategori të mallrave. Prodhuesit detyrohen më pas ta reflektojnë barrën te çmimi përfundimtar që paguajnë konsumatorët.

Kufizimet në transportin e mallrave në përgjithësi dhe materialeve të prodhimit në veçanti ka hasur pengesa të shumta prej kufizimeve të pandemisë.

Anketat që reflektojnë vështirësitë në tregtinë globale, flasin për të dhëna rekord në tregues të ndryshëm me peshë.

Koha e shpërndarjes së mallrave është përkeqësuar me ritmet më të larta në 24 vitet që ky tregues matet në nivel global. Gjithashtu, magazinimet e mallrave kanë pësuar rënie për të 25-in muaj me radhë. Kjo lidhet edhe me rritjen e çmimeve për produktet e importit, të imponuara nga rritja e kostove të transportit.

Shtetet që janë pjesë e zonës së Euros, presin një kontraktim të mëtejshëm të ekonomisë në tre muajt e parë të vitit, për shkak të ngadalësisë me shpërndarjen e vaksinave.

Megjithatë, pritshmëritë qëndrojnë optimiste për pjesën tjetër të vitit. Ekonomia në këto shtete do të rimëkëmbet.

Pikërisht ky nivel besimi ka sjellë rritjen e kërkesës për produkte. Kjo kërkesë është akoma e vështirë të plotësohet nga prodhuesit.

Derisa tregjet t’i kthehen normalitetit, ritmi i rritjes së çmimeve që vijon prej prillit të 2018, do të vazhdojë të mbetet i lartë. Ekspertët vlerësojnë se, vetëm kur oferta nga prodhuesit të plotësojë kërkesat konsumatore, do të mund të flasim për rikthim në normalitetin e çmimeve.

Ekonomia në Shqipëri është në një masë të madhe e varur edhe nga ritmet në Evropë. BE-ja është partneri më i madh tregtar i vendit tonë dhe, për pasojë, situata e tregjeve atje reflektohet edhe në tregun vendas.

Edhe pse shkëmbimi i mallrave ka vijuar me ritme të kënaqshme edhe gjatë vitit të pandemisë, mbarëvajtja e tregjeve do të varet në një masë të madhe nga kthimi i normalitetit në BE.

 

Albanianpost.com


Lajmet kryesore