Shqipëria

Vijon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin e Karaburunit


Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, të enjten e 29 korrikut, deklaroi se trupa të shumtë ushtarakë janë vendosur për të shuar zjarrin në zonën e Karaburunit.

“Që prej orëve të para të ditës trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar për fikjen e zjarrit në zonën e Karaburunit, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme”, shkruan Ministri në median sociale Facebook.

Më tej Peleshi bëri me dije se trupa të batalionit të III të këmbësorisë prej ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit.

Një vatër zjarri me përmasa të mëdha përfshiu gadishullin e Karaburunit të mërkurën e 28 korrikut.

Nga raportimet e para zjarri dogji bimë, shkurre dhe pemë të ndryshme në zonën e Bristanit.

Flakët u përhapen me shpejtësi duke u ngjitur në Ravenë dhe mbi kishën e Marmiroit në Orikum.

Në vendngjarje arritën punonjësit dhe specialistët e zjarrfikëses por terreni shumë i rrezikshëm ka bërë që zjarri të përhapët pavarësisht ndërhyrjes.

Ndërkohë prefekti Flamur Mamaj kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë për këtë situatë pasi era po ndihmonte zjarrin të përhapej shumë shpejt.

E gjitha ndihma erdhi për të ndaluar zjarrin të shkonte deri në Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore