Kosova

Vijon cikli i takimeve në Bruksel – Kurti e Vuçiçi ndaras me Borrellin e Lajçakun


Albin Kurti, Charles Michel, Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Josep Borrell dhe Mirsolav Lajçak

Cikli i takimeve pritet të vazhdojë në kryeqendren evropiane në Belgjikë në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, derisa përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) janë të vendosur të rrisin presionin ndaj palëve për të arritur progres e për t’i ulur së bashku dy liderët në të njëjtën tryezë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë thirrur në takime të ndara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas përfundimit të takimeve që dy udhëheqësit ballkanikë kanë pasur me liderët e shteteve kryesore evropiane.

Një takim “tete-a-tete” nuk parashihet të ndodhë mes kryeministrin Kurti, presidentit Vuçiç dhe përfaqësuesve të BE-së, ndonëse mundësia nuk përjashtohet, por vetëm nëse arrihet njëherë progres dhe gjërat rrjedhin sipas planit funksionalist të BE-së. Aktualisht, një takim i përbashkët mes kryeministrit kosovar dhe presidentit serb nuk është konfirmuar.

Borrelli më herët ka folur në lidhje me takimet që së bashku me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, ka pasur me kryeministrin kosovar dhe presidentin serb për të shqyrtuar hapat përpara në kuadër të samitit të liderëve evropianë në Bruksel të enjten.

Në një prononcim para gazetarëve në margjinat e samitit të krerëve të 27 shteteve anëtare të BE-së, shefi i diplomacisë evropiane ka paralajmëruar takim tjetër më vonë gjatë ditës me dy udhëheqësit ballkanikë, ndërsa ka kërkuar nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së.

“Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. Rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon përmes dialogut. S’ka zgjidhje tjetër”, ka thënë kryediplomati evropian.

Nga ana tjetër, kryeministrja italiane para gazetarëve ka thënë se në takimet e ndara që kanë pasur liderët evropianë me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, kanë kërkuar nga të dy palët zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, derisa ka shpresuar të arrihet progres më vonë gjatë ditës.

“Në takimin trilateral me Macronin dhe Scholzin ishim të zënë me bisedat rreth një tjetër skenari kritik, atë midis Serbisë dhe Kosovës e jemi duke kërkuar të gjejmë një zgjidhje, mbi bazën e një pune shumë të gjatë që është bërë kryesisht nga Italia, Gjermania, Franca dhe BE-ja”, ka theksuar ajo, para nisjes së punimeve të Këshillit Evropian (KE) në Bruksel.

“Ne kemi kërkuar nga të dy liderët që të bëjnë përparim në marrëveshjet e arritura në vitet dhe muajt e fundit”, ka shtuar ndër të tjera kreu i ekzekutivit italian, kurse as kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, por as kancelari Scholz e presidenti Macron, nuk janë deklaruar për media pas takimeve.

E Emisari Special i BE-së për dialogun, para nisjes së takimeve, ndonëse ka nënvizuar se formati i negociatave nuk është “merre ose lëre”, ka shtuar se diplomatët evropianë kanë “pritje të larta” që Kosova dhe Serbia të darkordësohen për rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe zbutjen e tensioneve.

Dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë që assesi të nxjerrin shtetet e tyre nga situata parakonfliktuale dhe qytetarët nga “hija kërcënuese” e dhunës, kanë takuar veç e veç kancelarin gjerman, presidentin francez, kryeministren italiane dhe përfaqësuesit e BE-së, në një cikël “20 minutësh” takimesh biletarale pas “stuhisë diplomatike” të fundjavës.

Përfaqësuesit e shteteve kryesore të BE-së kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi të shtunën e 21 tetorit, në një kohë kur tensionet janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

BE-ja ka prezantuar një plan-propozim të ri për statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), ndërsa Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për planin perëndimor dhe ka pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore