Shqipëria

Vijojnë zjarret në Shqipëri, vatra të reja në Bulqizë dhe Zadrimë


Vijon përhapja e zjarreve në gjithë territorin e Shqipërisë, ku dy vatra të reja janë regjistruar në Bulqizë dhe në Zadrimë të Lezhës.

Masivet pyjore të Bashkisë së Bulqizës vijojnë të përballen me raste të zjarrvënëses nga njëra anë.

Ende nuk dihet nëse zjarret e rëna përgjatë muajit Gusht kanë qenë të qëllimshme apo janë shkaktuar nga pakujdesia, megjithatë, autoritetet është dashur të luftojnë me flakët gjatë verës.

Vatra më e madhe dhe që ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike ka qenë ajo e Tërnovës. Vetëm me rënien e shirave gjatë javës së kaluar, zjarri u fik. Por, pas përmirësimit të kushteve të motit, duket se situata është rikthyer. Dy ditë më parë pati një zjarr masiv në Malin e Bardhë, ndërsa u fik me ndërhyrjen e banorëve.

Ndërkohë, këtë të hënë një vatër zjarri aktive është parë në malin e fshatit Bllacë të Njësisë Administrative Shupenzë. Mësohet se vatra e zjarrit ka përshkuar disa hektar pyje me dushqe e shkurre në këtë zonë.

Terreni i thyer malor e ka vështirësuar punën e autoriteteve, ndërsa vatra e zjarrit vijon të zgjerohet. Ndëshkimet për zjarrvënie të pyjeve apo pronave publike deri tani kanë qenë me procedim penal në gjendje të lirë, ndërsa fenomeni vijon të jetë shqetësues në vendin tonë për mungesë edhe të kapaciteteve për të ndërhyrë në kohë.

Një zjarr ka shpërthyer edhe në Kodhel, Zadrimë.

Flakët u përhapën me shpejtësi dhe kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me barishte, duke shkaktuar shqetësim të në zonën përreth.

Zjarrfikësit e zonës janë angazhuar menjëherë për të vënë flakët nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Forcat e emergjencës po punojnë intensivisht për të stabilizuar situatën dhe për të mbrojtur zonën.

Për momentin, nuk janë të qarta shkaqet e këtij zjarri dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar arsyet e mundshme që kanë çuar në shpërthimin e flakëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore