Aplikacione

Vietnami do të godasë llogaritë anonime të mediave sociale


Në Vietnam, përdoruesit e mediave sociale duhet së shpejti të verifikojnë identitetin e tyre.

Lëvizja vjen në atë që qeveria thotë se është një përpjekje për të goditur mashtrimet në internet.

Masa synon të ndalojë njerëzit të përdorin llogari anonime për të thyer ligjin.

Llogaritë e paverifikuara në platformat e mediave sociale vendase dhe të huaja si Facebook duhet të jenë në përputhje me rregulloret e reja.

Është e paqartë se si do të zbatohen masat e reja, që priten deri në fund të vitit 2023.

Autoritetet do të monitorojnë dhe ndoshta do të bllokojnë llogaritë anonime, ka bërë me dije media shtetërore.

Sakaq, masa është e fundit në një seri kufizimesh të vendosura ndaj përdoruesve të mediave sociale në Vietnam.

Vitin e kaluar, platformave të mediave sociale iu kërkua të heqin lajmet e konsideruara si të rreme brenda 24 orëve, në vend të 48 orëve të mandatuara më parë.

Ligjet që kërkojnë që firmat e teknologjisë si Google dhe Facebook të ruajnë të dhënat e përdoruesve në nivel lokal u miratuan gjithashtu në vitin 2022.

Kjo i dha qeverisë “aftësi më të madhe për të bërë presion ndaj kompanive dhe ka të ngjarë të çojë në shkelje të të drejtave për lirinë e shprehjes, shoqërimin dhe privatësinë”, sipas Human Rights Watch.

Rregulloret e fundit janë pjesë e amendamentit të ardhshëm të Ligjit për Telekomunikacionet, i cili duhet të miratohet nga ligjvënësit dhe pritet të hyjë në fuqi deri në fund të vitit 2023.

Ndërkaq, detajet e plota nuk janë bërë ende të ditura.

Jo të gjithë ofruesit në Vietnam aktualisht ofrojnë verifikim identiteti.

Megjithatë, si individët ashtu edhe organizatat, duhet të respektojnë rregullat e reja.

Zëvendësministri i Informacionit Nguyen Thanh Lam ka thënë për median shtetërore se ndërsa autoritetet mund të identifikojnë mbajtësit e llogarive të mediave sociale që shkelin ligjin, ata nuk mund të gjurmohen pasi përdorin aplikacione ndërkufitare.

Referuar ekspertëve, teksa dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes në rritje janë shqetësime legjitime për qeveritë në Azinë Juglindore, qeveritë përfshirë Vietnamin kanë përdorur përkufizime të paqarta për të ushtruar kontroll më të madh mbi hapësirën digjitale.

Në renditjen e Lirisë Botërore të Shtypit 2023, Vietnami u rendit në vendin e 178 nga 180, pak mbi Korenë e Veriut dhe Kinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore