Lajme

Publikohen pamjet e terroristëve duke u larguar nga Manastiri i Banjskës të dielën


Televizioni Klan Kosova ka publikuar një video të cilën e ka siguruar prestigjiozja “Associated Press” ku shihen terroristët duke u larguar nga Manastiri i Banjskës në Zveçan të dielën.

Pamjet nga droni tregojnë sulmuesit teksa ecin maleve si dhe brenda mureve të manastirit.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Derisa pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist dyshohet se janë arratisur duke kaluar në territorin e Serbisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ku janë prezantuar armët, uniformat dhe pajisjet logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Veri, ka thënë se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiç-it, i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas ministrit, kjo dëshmon lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Radojiçiç-it, në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën.

“Organizimi terrorist që është udhëhequr dhe urdhëruar direkt nga Beograd. Nga ekspertë vendor dhe të huaj është vërtetuar se për sasi armatimi dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka të bëjë asgjë me një organizim ad-hoc, të shpejtë dhe të ditëve të fundit”, tha ai.

Ndërsa mediumi boshnjak Istraga.ba në Sarajevë pretendon se krimineli Radojiçiç është plagosur të dielën në Veri, konkretisht në fshatin Banjskë të Zveçanit ku rreth 30 terroristë gjuajtën në drejtim të Policisë së Kosovës.

Në një audio-incizim që e ka publikuar ky medium, thuhet se kanë provuar disa herë ta kontaktojnë Radojeçiç-in, po kontakti me të ka qenë i pamundur.

“Fillimisht një person i panjohur i cili i është përgjigjur numrit të tij të telefonit ka thënë se nuk është Radojiçiç, ndërsa më pas i njëjti person ka pohuar se Radojiçiç është mirë”, raporton mediumi boshnjak.

Sipas këtij mediumi, Radojiçiç i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviç-it, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore