Lajme

Vice Media ndalon publikimin në faqen e internetit, shkurton qindra vende pune


Vice Media planifikon të shkurtojë qindra vende pune pas ndalimit të publikimit në Vice.com, sipas një letre nga shefi ekzekutiv Bruce Dixon.

Në maj, firma bëri kërkesë për falimentim në SHBA dhe u ble nga Fortress Investment Group.

Dixon ka thënë se Vice ka në plan të “bëj partneritet me kompani të njohura mediatike për të shpërndarë përmbajtjen digjitale”.

Këtë vit, firmat mediatike duke përfshirë Channel 4, Los Angeles Times dhe Business Insider gjithashtu kanë shkurtuar vendet e punës.

Dixon ka thënë sakaq se “nuk është më me kosto efektive për ne që të shpërndajmë përmbajtjen tonë digjitale siç kemi bërë më parë”.

“Për fat të keq, kjo do të thotë se ne do të reduktojmë fuqinë tonë punëtore, duke eliminuar disa qindra pozita”, ka shtuar ai.

Kompania vazhdon të shesë biznesin, sipas Dixon i cili ka bërë me dije se njoftimi do të bëhet në javët e ardhshme.

Përpara paraqitjes për mbrojtjen e falimentimit të Kapitullit 11, një procedurë që shtyn detyrimet e një kompanie amerikane ndaj kreditorëve të saj, Vice njoftoi pushimet e mëparshme nga puna duke mbyllur programin e saj kryesor televiziv.

E prezantuar në vitin 1994 si një revistë e veçantë e quajtur Voice of Montreal nga Shane Smith, Gavin McInnes dhe Suroosh Alvi, Vice Media operon në më shumë se 30 vende.

Kompania u vlerësua në 5.7 miliardë dollarë në vitin 2017 dhe dikur u shpall si pjesë e pararojës së kompanive të vendosura për të prishur peizazhin tradicional të medias me përmbajtje të tensionuar, të fokusuar te të rinjtë.

Shpresa ishte që Vice do të tërhiqte miliona të rinj përmes platformave të mediave sociale si Facebook dhe Instagram.

Prodhimi i firmës përfshinte My Journey Inside the Islamic State, në të cilin një gazetar i Vice filmonte përkrah grupit terrorist në Siri.

Vice ndoqi gjithashtu yllin e basketbollit Dennis Rodman dhe ekipin e Harlem Globetrotters në një udhëtim “të diplomacisë sportive” në Korenë e Veriut.

Përmbajtja më e fundit përfshinte dokumentarë për influencuesin kontrovers Andrew Tate dhe një film për presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga aktori Sean Penn.

Megjithatë, të ardhurat e kompanisë kanë qenë të pakta për disa vite dhe ka luftuar për të nxjerrë fitime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore