Lajme

Vetëvendosje partia më e pasur në Kosovë, me mbi 2 milionë të hyra


LVV

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, këtë të premte, ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike në Kosovë gjatë vitit 2023, ku Lëvizja Vetëvendosje – partia që ka pushtetin –  rezulton më e pasuar.

Sipas raportit, të hyrat e LVV-së për vitin 2023 kanë qenë 2 milionë e 98 mijë e 592 euro, derisa shpenzimet 1 milion e 381 mijë e 285 euro.

Ky subjekt politik ka pasuri afatgjate ku përfshihet toka, objektet, pajisjet, pasuritë  e paprekshme dhe pasuri tjera në vlerë 121 mijë e 779 euro.

Ndërsa, partia e dytë për të hyrat financiare renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – partia më e madhe opozitare – me 808 mijë e 983 euro të hyra, derisa bëhet me dije se ka shpenzuar 431 mijë e 824 euro.

Sipas raportit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), është partia e tretë për nga pasuria, të hyrat e të cilës kanë qenë 723 mijë e 169 euro, ndërsa ka shpenzuar 268 mijë e 16 euro.

Pasqyra financiare është paraqitur edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Kjo parti përgjatë vitit 2023 ka pasur të hyra vetëm 280 mijë euro, teksa ka shpenzuar 268 mijë e 16 euro.

Nga KQZ kanë bërë me dije se këto raporte për partitë politike janë të paaudituara dhe se të njëjtat mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore