“Vetëm se janë fëmijët e mi”, Trajkoviç ankohet se ia ndaluan vajzën në Aeroportin e Beogradit

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviç dhe këshilltare në Qeverinë e Kosovës ka njoftuar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit në Serbi.
“Vajza ime e dytë u ndalua në aeroportin e Beogradit gjatë daljes nga vendi, rrugës për në një kongres të mjekëve në rajon. E gjithë familja në një lloj liste. Asnjë arsye, asnjë aktivitet politik – vetëm sepse janë fëmijët e mi. Edhe sa kohë”, ka shkruar Trajkoviç në Twitter, duke etiketuar presidentin, kryeministren dhe Qeverinë e Serbisë.
Edhe në fund të vitit të kaluar Trajkoviç, pati njoftuar se vajza e saj është ndaluar në aeroportin e Beogradit nga policia kufitare për herën e dytë brenda këtij muaji.
“Vajza ime e cila është shtetase britanike, sapo ka zbritur në aeroportin e Beogradit. Ajo u ndalua nga policia kufitare. Kjo është përtej masës”, pati shkruar Trajkoviç në Twitter.
Po ashtu politikania nga Kosova ishte ndaluar për orë të tëra në pikën kufitare në Merdarë pa asnjë arsye.
Ndryshe Trajkoviç, gjatë këtij muaji është liruar nga spitali në Prokuple ku ishte duke u trajtuar për shkak të përkeqësimit të papritur të shëndetit të saj.
“Mëngjesin e sotëm në orën 06:00 dola nga spitali për mjekim në shtëpi. Faleminderit secilit prej jush që luftuat për mua. Më bëtë më të fortë. Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën për torturën”.
“Ditët e fundit kanë ekspozuar fytyrën e tyre të vërtetë. Maska ‘pro-evropiane’ ka rënë dhe ne të gjithë e dimë tani me kë kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtarët dhe abuzojnë me ligjin për të shkatërruar këdo që i pengon, qoftë serb, shqiptar, kroat”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com