Lajme

“Vetëm për rekreacion e pata”, deputeti i VV-së thotë se s’e ka përdorur IA-në për të shkruar fjalimin


Halil Thaçi

“Vetëm për rekreacion e pata”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, pasi është pyetur se pse e ka përdorur Inteligjencën Artificiale, përkatësisht botin “ChatGPT”, gjatë seancës së kuvendit ku po diskutohet propozim-rezoluta për gjendjen e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore.

Në pamjet e publikuara nga mediumi “Nacionale”, deputeti Thaçi shihet duke komunikuar me “ChatGPT”, në lidhje me temën që po diskutohej në kuvend, mirëpo për AP, ai ka mohuar të ketë qenë duke përgatitur fjalim me ndihmën e IA-së, pasi që theksoi se nuk e ka në plan që të flasë në seancë për këtë çështje.

“Jo nuk kam fjalim sot, vetëm më interesoj nëse ‘ChatGPT’ ka informacione për shëndetësinë në Kosovë, ajo më interesojë, vetëm për rekreacion e pata.. s’kam fjalim sot”, tha Thaçi për AP.

Pamje e publikuar nga mediumi “Nacionale”

Deputeti i LVV-së e pranoi se e përdor me raste “ChatGPT”, siç theksoi ai, “vetëm për ndonjë informacion nëse e ka për gjëra të ndryshme”.

Ky nuk është rasti i vetëm kur deputeti Thaçi bëhet në qendër të vëmendjes.

Më herët, Thaçi kishte marrë vëmendjen me një status që e kishte bërë në Facebook. Jo për temën për çka kishte shkruar, por për shkak të gabimeve tejet të rënda drejtshkrimore që i kishte bërë.

 “Jamë”, “frigu” “sigurin” kishin qenë vetëm disa nga gabimet elementare në drejtshkrim të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Thaçi, në reagimin e tij kundër arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

11 gabimet e tij në vetëm pesë rreshta tekst e kishin bërë viral Thaçin.

Por, ai është arsyetuar me faktin se jemi në muajin e Ramazanit.

Gabimi më trashanik ishte një “ë” kur shkroi “jamë”, por Thaçi, i pyetur nga Albanian Post, tha se s’është gabim i madh, tek e fundit është veç një shkronjë.

“Një ‘ë’ bre e kam gabu, po është normale se në iftar kam qenë, se kështu normal s’kam problem me drejtshkrim, po njerëz jemi gabojmë”, u arsyetua Thaçi atëherë.

Fatkeqësisht për Thaçin dhe votuesit e tij, s’ishte në pyetje vetëm një “ë”, as vetëm një gabim, por plotë të tillë.

Ai në vend se ta shkruante “frikë” e kishte shkruar “frig” duke tjetërsuar kështu komplet fjalën. Ama, ndryshe nga “jamë”, këtu theksonte se nuk ka bërë gabim, por është mendimi i tij se ashtu shkruhet.

“Po, unë mendoj që shkruhet me ‘g’”, thoshte Thaçi.

Më pas u ngut të thoshte se në përgjithësi nuk bën gabime.

“Normal nuk bëj shumë gabime”, ama shtoi Thaçi, të merret parasysh se “unë nuk e kam letërsinë të kryme”.

Prandaj, deklaronte se “nuk po besoj që është gabim aq i rëndë”.

“Veç një ‘ë’ bre e kam gabu se isha në iftar – s’o aq gabim se unë letërsinë s’e kam” – flet deputeti i VV-së që bëri 11 gabime në 5 rreshta

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore