Vetëdorëzohet Vangjush Dako, pas urdhrit të SPAK
Vitjon Nina
06.06.2023 18:25Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ka pranuar të vetëdorëzohet pas lëshimit të një urdhër-arresti nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila e akuzon atë për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Në Drejtorinë e Policisë Tiranë është bërë gati gjithçka për pritjen e ish-zyrtarit të lartë të bashkisë bregdetare, teksa të paktën gjashtë urdhër-arreste të tjera janë lëshuar për ish-funksionarë në sektorin e urbanistikës.
Rasti i dyshuar është ai i korrupsionit lidhur me një pallat të dëmtuar nga tërmeti në Durrës, lejen e të cilit e ka dhënë vetë Dako dhe madje pallatit i janë shtuar në mënyrë jo të ligjshme disa kate fillimisht, të cilat janë legalizuar më pas.
Ky pallat është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe vetë banorët e kanë denoncuar disa herë rastin.
Dako ndërkaq, më 16 mars, është marrë në pyetje nga SPAK, por detaje lidhur me çfarë ai u pyet nuk u bënë me dije.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit ka qenë edhe më parë i përfolur për lidhje korruptive, ku masën më të lartë e ka marrë më 30 korrik 2019, me shpalljen si persona non grata nga SHBA-të.
Neni 7031(c) e futi edhe atë në thesin e zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilët janë të papëlqyeshëm për Amerikën.

Detaje të mëtejshme priten të bëhen me dije nga vetë SPAK, duke specifikuar edhe rrethanat e arrestimeve dhe akuzat, ku paraprakisht mësohet se lidhen me korrupsionin.