Shqipëria

Vetëdiagnostikimi mund ta zmadhojë problemin, por mund të bëhet edhe vet diagnoza


Vetëdiagnostikimi bazuar në internet e media sociale mund të jetë më i dëmshëm se sa i dobishëm. Jo çdo organizëm është i njëjtë dhe shfaq simptoma të njëjta.

Në këtë konkluzion del psikologia klinike Lule Alidema e kontaktuar nga Albanian Post për sa i përket fenomenit të vetëdiagnostikimit të përhapur më së shumti te grupmoshat e reja.

Nuk janë të rralla rastet kur një vajzë apo djalë në të njëzetat të pohoje se ka ankth, madje edhe depresion. Dhe nëse përpiqesh të kuptosh se ku e kanë konstatuar, përgjigjja është “vet”.

Bota digjitale, me përmbajtje të vrullshme në mediat sociale rreth shëndetit mendor të bashkëshoqëruara edhe me simptomat dhe këshillat përkatëse, duket se po i drejton njerëzit drejt vetëdiagnostikimit.

Për psikologen, nuk duhet përjashtuar mundësia se mes dinamikës së jetës së mbingarkuar dhe duke iu ekspozuar në vazhdimësi stresit për arritje e duke harruar kujdesin e mirëfilltë për veten, shumë lehtë e shpejtë njeriu mund të bjerë preh e çrregullimeve psikologjike.

Por njeriu i sotëm, sipas saj, aq sa më shumë beson se di për veten e vet, po aq edhe nuk di. Çka nënkupton se jo gjithmonë interneti apo mediat sociale janë zgjidhja e parë apo mundësia e mirë e zgjidhjes së dilemave apo problemeve, sidomos atyre që lidhen me shëndetin psikik.

“Shqetësimet psikologjike janë më të thella se sa shihen e lexohen në internet apo media sociale’, ravijëzon ajo.

Alidema pohon se, mbase edhe nga profesionistët e shëndetit mendor, diagnostikimi nuk është edhe aq i thjeshtë sepse natyra e çrregullimeve psikologjike mund të janë shpeshherë të kombinuara, pastaj janë dallimet e llojeve të personalitetit, stili i jetës apo rrethanat aktuale.

Ndaj vetëdiagnostikimi bazuar në internet apo mediat sociale, përveç pasaktësisë, “me raste mund të bëhet edhe vet çrregullimi”.

Diagnostikimi – sipas saj – kërkon kohë, testim, vëzhgim dhe precizitet për individ.

“Si një ndër problemet që tashmë është bërë fenomen i shpeshtë, vetdiagnostikimi sidomos te moshat e reja si njohës dhe përdorues të internetit, mbart edhe pjesën e rrezikshmërisë”, dallon ajo.

Psikologia Alidema, në këtë pikë, bën një diferencim.

Personat që janë vërtetë të prekur nga çrregullimi psikologjik, pavarësisht se dallojnë te vetja ndryshim të theksuar të humorit, nuk i vendosin vet diagnozë shqetësimit të tyre. Mund ta mohojnë atë dhe zgjedhin të drejtohen te profesionistët e shëndetit mendor.

Kurse vetëdiagnostikimi – në të shumtën e rasteve – bëhet nga ata që nuk janë brenda shqetësimit, por janë momentet jo të mira emocionale (luhatjet momentale) të tyre që i drejtojnë drejt informacioneve qoftë në media sociale qoftë biseda me shoqërinë, dhe për pasojë jo rrallë ia mveshin vetes çrregullimin.

Një nga shembujt që psikologia përmend është ankthi, si një ndër çrregullimet më të shpeshta dhe që për fat të keq është prezent thuajse në çdo familje.

“Çrregullimet psikologjike janë ngjitëse në njëfarë forme sikurse nga ekspozimi i vazhdueshëm me personin që po përjeton ankthin apo edhe qoftë vetëm kur diskutohet mbi simptomat e ankthit”, veçon Alidema.

Dhe se, është tipi i atyre personave “më të ndjeshëm emocionalisht që i përthithin me lehtësi po ato shqetësime qoftë nëse i lexojnë në internet apo edhe i dëgjojnë për sa bisedohet në praninë e tyre”.

Dignostikimet duke u bazuar nga ngjashmëria e simptomave me ato çka lexojnë në internet dhe media sociale, vijon ajo, janë të gabuara dhe shumë shpesh të tilla gabime bëhen vet arsyeja për çrregullim psikologjik.

Si rrjedhojë, vetëdiagnostikimi përveç që mund të jetë i gabuar, “mund ta zmadhojë problemin, por edhe mund të bëhet vet diagnoza”.

Në gjykimin e saj, vetëdiagnostikimi te të rinjtë shihet si mundësia e parë dhe më e lehtë e zbulimit të gjendjes në të cilën ndodhen. Dhe me radhë, mosedukimi për mirëmbajtje të shëndetit psikologjik, mungesa e vizitave sistematike krahas mirëmbajtjes së organizmit, si dhe i paragjykimeve të mundshme.

“Në shoqërinë tonë, vizita te psikologu nënkupton se nuk jemi mirë mendërisht dhe ende për shumë shihet tabu”, nënvizon psikologia.

Në këtë sfond, rekomandimi i saj është që të niset ndryshimi me edukimin e hershëm mbi kujdesin dhe mbarëvajtjen e shëndetit psikologjik.

Po ashtu edhe sqarimet e vazhdueshme nëpër media, se vetëdiagnostikimi bazuar në internet e media sociale mund të jetë më i dëmshëm se sa i dobishëm.

Problemet e shëndetit mendor duhen kuptuar, jo stigmatizuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore