Kulturë

Vështrimi i arkitekturës shqiptare


Eksperimentet e para për parafabrikimin e banesave u kryen në gjysmën e dytë të viteve 1970. “Teknologjia e përdorur u soll nga Kina, aleatja e vetme e Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), në vitin 1961.

Organizatorët e Ekspozitës “Arkitektura nën presion” thonë se specialistët kinezë, asistuan vendas deri në vitin 1978, kur Shqipërisë iu desh të ndërpriste marrëdhëniet politike edhe me Kinën dhe të niste një rrugë 12 vjeçare vetizolimi.

Sipas tyre, prodhimi masiv i paneleve të parapërgatitura për banesat u udhëhoq nga specialistë vendas. Projektet e hartuara për banesat me panele të parapërgatitura bazoheshin në katër tipe, mjaft të ngjashme me njëra-tjetrën.

Me ndryshimet politike në mesin e viteve 1950, në Bashkimin Sovjetike fillon edhe lëvizja drejt arkitekturës racionale, e cila do të zhvillohet deri në mesin e viteve 1970.

“Pikërisht në këtë periudhë, fillon lufta ndaj liberalizmit dhe shfaqjeve të modernizmit, duke luftuar ashpër çdo influencë nga arkitektura perëndimore e udhëhequr nga parimet e modernizmit. Arkitektura i rikthehet kërkimit ideologjik për ‘Formën Kombëtare’ dhe ‘Përmbajtjen Socialiste’ duke krijuar tipare të veçanta të pa hasura më parë”.

Në periudhën 1965 deri në 1975 gradualisht filloi të krijohej një liberalizëm që i dedikohet kryesisht reduktimit të vëmendjes së sistemit kundrejt artit dhe arkitekturës.

Sipas Organizatës së Ekspozitës, ata të cilët guxuan më shumë, mundën të thyenin kornizat arkitektonike të kohës, duke krijuar vepra që, duke shfaqur elementë krijues të rinj, u kritikuan për përmbajtje moderne.

“Modernizmi, si filozofia e artit të botës perëndimore, ishte një armik që duhej luftuar që në gjenezë, ndoshta edhe kur nuk ekzistonte. Si reagim ndaj kësaj lufte, pas vitit 1975 shfaqet një arkitekturë e cila lidhet më fort vizualisht me parimet e Realizmit Socialist; Forma Kombëtare dhe Përmbajtja Socialiste”.

Në fakt, fushata e viteve 1974 deri në 1975 e luftës ndaj ndikimeve të huaja dhe modernizmit, pjesë e “revolucionit kulturor” (frymëzuar nga Revolucioni Kulturor Kinez), preku përveç fushave të artit edhe arkitekturën.

Ndër emrat që u rreshtuan në bankën e të akuzuarve ishin Koço Çomi, Maks Velo, Mauricio Bego, Petraq Kolevica dhe Sokrat Mosko.

Maks Velo duke u akuzuar edhe për një seri sjelljesh të papërshtatshme u burgos, ndërsa të tjerët u transferuan në qytete të tjera ose u ulën në detyrë.

“Ateizmi” nuk mund të mbetej i pareflektuar në arkitekturë, herë duke shkërmoqur, e herë duke ribërë së dyti, tanimë me forma të reja që fshihnin të vjetrat, projektet e kahershme dhe godinat ekzistuese.

Në vitin 1967 pushteti komunist nisi luftën kundër fesë. Kjo lëvizje synonte zhdukjen e besimeve fetare dhe zakoneve prapanike që pengonin përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

“Pavarësisht vlerave të tyre historike dhe arkitektonike, mjaft ndërtesa u shembën dhe mjaft të tjera u transformuan në magazina bujqësore dhe stalla apo, në rastin më të mirë, në ndërtesa me funksione social-kulturore apo sportive”, thuhet nga organizatorët.

Kujdes i veçantë pati që të transformohej imazhi i ndërtesave të ripërdorura në mënyrë që në to të mos mbetej asgjë fetare.

“Forma kombëtare” e arkitekturës, i qëndronte besnike sloganit të artit dhe arkitekturës së Realizmit Socialist në Shqipëri “Socialist në përmbajtje dhe Kombëtar në formë”.

Po ashtu, përmbajtja socialiste ishte e vështirë e justifikueshme në arkitekturë, forma kombëtare ishte një element që nuk mund të neglizhohej. Ajo duhet të lidhej fort me kulturën e vendit, me identitetin shqiptar, me traditën popullore shqiptare.

Duke u bazuar në këto kërkime, jo vetëm profesionist e studiuesit por edhe sfera politike u angazhuan.

“Arkitektura si mjet komunikimi” ishte një ndër mjetet më të fuqishme shprehëse të ideologjisë, dhe si e tillë duhej të ishte e thjeshtë për t’u kuptuar dhe e drejtpërdrejtë”.

Gjithashtu, arkitektët prodhuan mjaft vepra ku mbivendosja e arkitekturës dhe ideologjisë ishte thjesht një gjest artificial për të justifikuar përmbajtjen e veprës së tyre.

“Në këto vepra shfaqen herë-herë simbolika formale apo dekore dhe motive të vendosura jashtë kontekstit”, thekson grupi organizator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore