Lajme

Vështirë se Kosova anëtarësohet në KiE kur s’i zbaton vendimet e gjykatave të veta, shkruan gazetari gjerman


Foto nga Albanian Post, Michael Martens

Vështirë se Kosova mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, për çka ka aplikuar, kur nuk i respekton as vendimet e gjykatave të veta, ka shkruar në llogarinë e tij në “X“, gazetari gjerman, Michael Martens, që për shumë kohë ka shërbyer për media të ndryshme si korrespondent nga Ballkani.

Aktualisht gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Martens e ka shtruar këtë çështje si dilemë, duke u vetë-përgjigjur.

“Kosova: A duhet/mundet një vend që për vite me radhë refuzon t’i zbatojë vendimet e qarta të Gjykatës së vet Supreme dhe Gjykatës së vet Kushtetuese t’i bashkohet Këshillit të Evropës? Vështir”, pohon Martens në platformën “X”.

Shkrimi i Martens vjen në një kohë kur kanë plasur kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e vendimit të gjykatave të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar ishte fillimisht Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, që këroi zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Pas tij ishte ambasadori gjerman,  Jorn Rohde që shpalosi kërkesën e njëjtë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Rohde ka potencuar se të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës aktualisht e kanë të njëjtën kërkesë.

Kjo kërkesë kishte daluar edhe në raportin që e përpiluan juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, që në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, bënë vizitë në Kosovë.

Rohde e Barbano njëzëri: Qeveria ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

“Misioni faktmbledhës i KiE-së”, juristët ndërkombëtarë javën tjetër në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore