Lajme

Veriu në tension, Osmani udhëton në Moldavi


Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Edhe pse situata në Veri vazhdon të jetë e tensionuar dhe protestat për të katërtën ditë me radhë po vazhdojnë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku pritet  ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Lajmi për udhëtimin e Osmanit është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

“Para liderëve të tjerë evropianë, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimeve bileterale, e para e shtetit pritet të diskutoj edhe për thellimin e bashkëpunimit me liderët e tjerë evropian që do të jenë të pranishëm.

“Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta”.

“Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian”, thuhet në njoftim.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte paraparë që të martën të nisej për në Bratislavë të Sllovakisë (sipas informacioneve në sajtin zyrtar të forumit), për të marrë pjesë në Forumin Global të Sigurisë (GLOBALSEC2023).

Por, Kurti e kishte anuluar këtë udhëtim për shkak të situatës së tensionuar që po vazhdon të jetë në Veri të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore