Kosova

Veriu i Kosovës nën kërcënimin e operacioneve ruse, sipas raportit


Ilustrim

Nuk është sekret se Rusia ka kohë që është duke udhëhequr një fushatë kundër kombeve të vogla ballkanike, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe të provokojë trazira që do të prodhojnë destabilizimin e rajonit në të ardhmen.

Në një raport të institutit “Risk Assistance Network” të publikuar rishtas, thuhet se në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin rrezikojnë të përfshijnë Ballkanin Perëndimor në dhunë dhe trazira, duke çuar në bllokimin e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Përveç kësaj, mbështetja ruse për pretendimet serbe mbi Kosovën mund të kenë më shumë rëndësi në mesin e serbëve kosovarë të cilët ndihen të tjetërsuar nga lidershipi serb dhe të izoluar nën një qeveri etnikisht shqiptare dhe popullësisë shumicë”, thuhet në raportin e institution amerikan i cili merret me ofrimin e shërbimeve të intelegjencës dhe menaxhimin e rrezikut.

Në raport ndër të tjera thuhet se aktorët rusë ka shumë të ngjarë të ndezin më tej tensionet për të shpërqendruar botën perëndimore nga Ukraina dhe të kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, derisa shpërndajnë narrativën që nxjerrë në pah përpjekjet e Rusisë për të mbështetur pretendimet e Serbisë mbi Kosovën në skenën ndërkombëtare.

“Propaganda ruse është krijuar për të nxitur shpërthime të përgjakshme në rajon për të shpërqendruar BE-në. Një krizë në Ballkanin Perëndimor do të kontribuonte në rritjen e problemeve për BE-në, ndërsa Rusia përpiqet të ndezë konflikte në Evropë, duke hequr njëkohësisht një pjesë të fokusit nga Ukraina dhe duke minuar lidershipin e BE-së”.

Sëkëndejmi, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa krijohen kushte të favorshme për lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse që të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte rajonale nën mbështetjen e heshtur të Rusisë, rreziku i përshkallëzimit të dhunës tani rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Ballkani është në luftë – në luftë kundër fushatës dezinformuese të Rusisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore