Kosova

Veriu i Kosovës është nën kërcënimin konstant të destabilizimit, thotë analisti polak


Ilustrim

Jakub Bielamowicz, një ndër analistët e njohur të gjeopolitikës dhe studiues i Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore, në një prononcim për gazetën malazeze “Pobjeda” të hënën, ka thënë se pikat natyrale të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, vazhdojnë të jenë pjesa veriore e Kosovës e banuar me shumicë serbe dhe entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Ai ka komentuar deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka pretenduar të ketë marrë informacione se Rusia është duke planifikuar të nis një luftë në Ballkanin Perëndimor për të larguar vëmendjen e botës perëndimore nga Ukraina. Dhe Bielamowicz ka ndarë gjithashtu këtë shqetësim të thellë të presidentit ukrainas.

“Pikë natyrale e nxehtë në Ballkanin Perëndimor është veriu i Kosovës dhe Republika Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të destabilizimit nga Serbia”, ka thënë Bielamowicz, derisa ka shtuar se përpjekjet e lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse në Ballkanin Perëndimor janë intensifikuar kohën e fundit.

Ai ka theksuar se bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka mbetur e përqendruar në qetësimin e lojtarëve agresivë në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht nga destabiliteti gjithnjë e në rritje, duke përfshirë kërcënimet e ripërtëritura secesioniste të presidentit të entitetit serb, Millorad Dodik dhe përpjekjeve të grupeve nacionaliste serbe për të minuar shtetësinë e Kosovës.

“Unë jam një nga analistët që bëj thirrje për një rivendosje të thellë dhe urgjente të politikës perëndimore ndaj rajonit. Qasja aktuale, stabilokracia e Perëndimit vetëm sa i inkurajon aktorët keqdashës që të arrijnë qëllimet e tyre politike përmes destabilizimit”, ka thënë Bielamowicz, i cili merret me studimin e Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re (INE).

Perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë përshkallëzimin e konflikteve, shumë analistë kanë paralajmëruar se tani rreziku i përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor.

Stoltenberg në Kosovë – përgjigje ndaj sfidave të sigurisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore