
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë ka mbërritur në kryeqytetin e Sllovakisë në Bratislavë për të marrë pjesë në një forum që organizohet atje.
Organizatori i forumit ka shpërndarë në rrjetet sociale fotografitë e Kurtit duke njoftuar për shkuarjen e tij atje.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Forumin e Bratislavës. Do dëgjojmë nga ai më vonë në një bashkëbisedim, ku kryetemë është: E ardhmja e Kosovës”.
Prime Minister of the Republic of 🇽🇰, H.E. @albinkurti, has arrived at the #GLOBSEC2023 Bratislava Forum. Hear from him later this morning in a chat entitled: In the Spotlight: Future of Kosovo. pic.twitter.com/8Ww0CRPIIo
— GLOBSEC (@GLOBSEC) May 31, 2023
Forumi, siç thuhet në faqen zyrtare, është një nga konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare të kësaj natyre. Një nga platformat më të dalluara në të gjithë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, thuhet në përshkrimin e kësaj ngjarjeje.
Aktorë të nivelit të lartë nga fusha të ndryshme bashkohen në Bratislavë të Sllovakisë – një nga 5 shtetet e BE-së që s’e ka njogur akoma Kosovën – për të gjeneruar ide dhe zgjidhje të reja se si të kapërcehen sfidat e shumta që po përcaktojnë rendin global në ndryshim.
Tri temat kryesore të këtij viti në këtë forum janë: “Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën”, “Qëndrueshmëria e Evropës përballë luftës”, “Zbutja e pasojave globale të konfliktit (zinxhirët ekonomikë, energjetike, vlera) – në një dialog global”.
Sipas orarit të publikuar në faqen zyrtare të “GLOBSEC’s 2023”, kreu i ekzekutivit kosovar është pjesë e një paneli bashkë me Milo Gjukanoviç-in, ish-presidentin e Malit të Zi dhe Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Pavarësisht situatës në Veri dhe tensioneve edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku pritet ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmi për udhëtimin e Osmanit është bërë i ditur përmes një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.
“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në komunikatë thuhet se krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.
Është dita e katërt me radhë që serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.
Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Qyteti ku çdokush mund të jetë spiun
-
SHBA-të dhe Shqipëria diskutojnë për mbrojtjen – konsultime kryesore dypalëshe në Tiranë
-
Nagorno-Karabakh, shkon në 125 numri i të vdekurve pas shpërthimit të depove të karburantit
-
Kurti: Vuçiçi është i fiksuar me Adem Jasharin – Milan Radojçiçin e projektonte si të tillë