Kosova

Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara në Veri mund të rrisin rrezikun e dhunës, thotë zyrtari i lartë i NATO-s


Thomas Goffus

Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, i cili po qëndron në Kosovë, nëpërmjet një video-mesazhi, të enjten, ka potencuar se “veprimet e papritura” dhe “të pakoordinuara”, posaçërisht në Veri të Kosovës, mund të rrisin “rrezikun e dhunës”, e cila më pastaj “cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë, dhe rrezikon trupat e KFOR-it”.

Andaj në vlerësimin e tij gjithë në këtë mes është esenciale që Kosova dhe Serbia të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në atë mënyrë për “të zgjidhur çështjet e mbetura”.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë”, ka thënë Goffus.

Duke potencuar rritjen e prezencës së NATO-s në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, Goffus, ka potencuar se shtimi i trupave ushtarake, “është i domosdoshëm momentalisht”, por nuk ofron një “zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë”.

“Zgjidhja është politike”, shton ai.

Goffus vizitën e tij në Kosovë e nisi me një takim me shefin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas.

Ai më pas e takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin e kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Në takimin Osmani – Goffus ndër temat e diskutuara ishte edhe hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Osmani, siç thuhej në një komunikatë për media, gjatë takimit ka përsëritur qëndrimin e saj për hapjen e urës së Ibrit zyrtarit të lartë të NATO-s, porse ka potencuar rëndësinë e “mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”.

“Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm me NATO-n dhe KFOR-in për adresimin e sfidave në fushën e sigurisë”, ka thënë Osmani gjatë takimit, citohet në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore