Shqipëria

Vengu inspekton punimet e rindërtimit në Kampusin e Akademisë së Forcave të Armatosura


Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu inspektoi punimet për ndërtimin e Kampusit të Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), një nga projektet më të rëndësishme të planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes, që bazohet në modelin e akademisë prestigjioze amerikane West Point.

I shoqëruar edhe nga komandanti i AFA gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, ministri Vengu u njoh me ecurinë e projektit, që është një tjetër investim që i shërben modernizimit të FA.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, kontrata parashikon që deri në mars 2025 të përfundojë faza e parë e projektit, që përfshin godinën e re të Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe mensën për studentët.

Deri më tani janë realizuar 50% e punimeve. Ministri Vengu tha se “më pas do të vijohet me financimin e fazës së dytë, për të përballuar kapacitetet në rritje, në mënyrë që sezonin e ardhshëm kampusi të jetë në gjendje pune. Synimi është që kjo të jetë një akademi autonome, sipas modelit të West Point”.

Vengu vuri theksin në krijimin e një akademie lider në arsim, që do t’u shërbejë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe institucioneve të tjera.

“Do të zgjerohet gama e programeve që ofron Akademia e Forcave të Armatosura, e cila vitet e fundit edhe në përputhje me planin e objektivave të Forcave të Armatosura ka forcuar programet që kanë të bëjnë me teknologjinë, me të ardhmen e FA, në mënyrë që ne jo vetëm të forcojmë kapacitet tona, por të sigurojmë edhe një mënyrë të qëndrueshme për të formuar profesionalisht të ardhmen e forcave tona”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, komandanti i AFA, gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, nënvizoi faktin se kjo akademi do të shërbejë edhe për student nga Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe vende të tjera të rajonit, ndërsa synimi është shkëmbimi i studentëve edhe me akademi të njohura, me të cilat Shqipëria ka bashkëpunime si në Itali, Greqi apo në Turqi.

Këtë vit, sipas Nuredinajt, parashikohet hapja e dy programeve të reja në nivelin master, “Inteligjencë artificiale” dhe “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.

Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura po ndërtohet në një sipërfaqe 9,1 hektarë. Në projekt, veç godinave të akademisë janë edhe ndërtimi i godinave akomoduese për studentët, terrenet sportive, kinoklub, qendër shëndetësore, palestër, poligon qitje, etj..

Në bashkëpunim me SHBA-të, në këto mjedise do të jetë edhe Qendra e Simulimit, e cila do të sigurojë trajnimin e forcave në një mjedis të përshtatshëm dhe me kosto më të ulët, krahasuar më stërvitjet në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore