Lajme

Venezuela siguron Serbinë se nuk do ta njohë si shtet Kosovën


Nicolas Maduro dhe Nikola Selakoviç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, këtë të premte ka takuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe homologun e tij, Carlos Faria, me ç’rast kanë diskutuar edhe për qëndrimin e Venezuelës në raport me Kosovën.

Selakoviç, thuhet në njoftimin për media, se ka falënderuar Maduro-n për qëndrimin e prerë dhe parimor të Venezuelës në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, duke mos e njohur shtetin e Kosovës.

Përveç kësaj, shefi i diplomacisë serbe, ka falënderuar Maduron për mbështetjen e padiskutueshme dhe të pakushtëzuar që Venezuela i jep Serbisë në organizatat ndërkombëtare për çështje të rëndësisë kombëtare.

“Gjatë historisë së gjatë të marrëdhënieve tona diplomatike, pavarësisht presioneve në periudha të ndryshme historike, ne kemi arritur të ruajmë një shkallë të lartë të respektit dhe vlerësimit të ndërsjellë për çështjet e interesave kryesore kombëtare”, ka thënë Selakoviç.

“Mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve, ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, e drejta për një politikë sovrane dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare, e jo të drejtat e më të fortëve, mbeten parimet bazë të drejtimit të politikës sonë shtetërore”, ka shtuar ai.

Gjatë takimit Selakoviç së bashku me homologun e tij, Carlos Faria, kanë nënshkruar deklaratën e mekanizmit të konsultimit politik ndërmjet Serbisë dhe Venezuelës, Marrëveshjen për bashkëpunimin në fushën e turizmit, memorandumin e mirëkuptimit në fushën e rinisë dhe sportit, si dhe marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Serbisë dhe Venezuelës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore